Mbahet ceremonia madhështore për Epifaninë në Greqi, qytetarët hidhen për kryqin mes motit të ftohtë

07/01/2026 16:36

Me solemnitet dhe përkushtim u kremtua festa e Epifanisë në mbarë Greqinë, me ritin e shenjtë të Bekimit të Ujërave dhe hedhjen e Kryqit të Nderuar.

Në Pire, në prani të Presidentit të Republikës dhe Kryepeshkopit Jeronim, ceremonia u zhvillua në një atmosferë madhështore. Anije të Marinës Luftarake dhe Rojës Bregdetare i dhanë nderime ceremonisë, ndërsa dhjetëra notarë u hodhën në ujërat e ftohta për të kapur Kryqin e Shenjtë.

Qindra besimtarë ndoqën nga afër momentin kulmor të ritit, që përkujton Pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan, një traditë shekullore e Kishës Ortodokse. Edhe në jug të Athinës, në brigjet e Egjeut, dhjetëra të rinj sfiduan të ftohtin, duke besuar se kapja e Kryqit sjell shëndet, fat të mirë dhe bekim për gjithë vitin.

“Ishte shumë bukur. Ishte ftohtë, sigurisht, por ia vlen, sepse sot është një ditë e veçantë, dhe më e pakta që mund të bëjmë është të zhytemi në det, pavarësisht të ftohtit”, u shpreh besimtari Nikos Floropoulos.

Tradita e Epifanisë shënon fundin e dymbëdhjetë ditëve të Krishtlindjes dhe është një nga festat më të rëndësishme të kalendarit ortodoks. Me të njëjtën madhështi në prani të autoriteteve kishtare dhe politike, si dhe të një numri të madh qytetarësh dhe vizitorësh u kremtua Epifania edhe në Selanik.

Në portin e qytetit, mbi 50 notarë u hodhën në ujërat e Gjirit Thermaik, ndërsa i riu që kapi kryqin dërgoi një mesazh uniteti, shëndeti dhe dashurie. Nga Athina në Selanik dhe në çdo cep të vendit, Epifania mbetet një simbol i besimit, guximit dhe shpresës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB