LIVE/ Pamje apokaliptike nga përmbytjet. Situatë kritike në Durrës. Bllokim rrugësh në Qukës e Gjirokastër. Protesta në Shkozet, rritet niveli i Drinit dhe Bunës

07/01/2026 22:40

Vijon të mbetet kritike situata nga përmbytjet në vend, për shkak të reshjeve të dendura të shiut që prej ditës së djeshme.

Më e goditura nga përmbytjet është Gjirokastra. 70 biznese, shumë shtëpi dhe automjete janë shkatërruar në lagjen “18 shtatori”. Pamjet gati apokaliptike me masive inertesh dhe gurësh në rrugë e dyqane janë pasojë e vërshimeve masive të lumenjve dhe përrenjve.

Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar, është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Edhe në burgun  e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.

Gjatë natës në Lezhë pati më pak reshje, por sot situata paraqitet më problematike në Laç. Disa familje janë evakuar dhe shumë shtëpi janë të rrethuara nga uji.

Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 7.2 metra mbi nivelin e detit dhe po i afrohet pikës kritike. Raportohet të ketë dalë nga shtrati në zonën e pazarit pranë urës së Mifolit.

Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.

20:17 Inertet dhe dherat në aksin Qafë Plloçë-Qukës, mbyllet përkohësisht ky segment, automjetet po orientohen drejt rrugës së vjetër

Për shkak të inerteve dhe dherave në aksin Qafë Plloçë – Qukës, aktualisht po mbyllet qarkullimi në këtë segment. Mësohet nga informacionet më të fundit, se për të marrë masa lidhur me qarkullimin e mjeteve dhe për të shmangur rrezikun si në rastin e mjetit të aksidentuar paraditen e sotme, është mbyllur përkohësisht qarkullimi në këtë aks.

19:59 Reshjet e dendura të shiut, rrëshqitje dherash në Gjirokastër, rrezikohen banesat në lagjen Manalat

Moti i keq ka shkaktuar një situatë problematike në Gjirokastër. Në lagjen Manalat ka pasur edhe rrëshqitje dherash, ku si pasojë një mjet i parkuar, është zhvendosur disa metra më poshtë. Për fat të mirë nuk raportohet për persona të lënduar.

17:08 Shembje shkëmbinjsh e dherash bllokojnë aksin Burrel-Rrëshen, qarkullimi i mjeteve kalon në një sens


Aksi nacional Burrel – Rrëshen është vështirë të qarkullohet me çdo lloj mjeti për shkak të probleme të shumta. Veç amortizimit ndër vite të këtij aksi rrugor, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar shembje të shkëmbinjve dhe rrëshqitje të dherave në disa segmente.

16:31 Moti i keq, përmbyten qindra hektarë tokë në Shkodër, pritet ndërprerje e energjisë elektrike në disa zona

Qindra hektarë tokë janë përmbytur nga shiu në qarkun e Shkodrës. Nga informacionet e përditësuara deri në ora 15:30, situata paraqitet si më poshtë: Në Bashkinë Shkodër vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj, ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër zonat me prezencë uji.

16:16 E ndërtuar në fund të dhjetorit, reshjet e dendura të shiut dëmtojnë rrugën e re në Durrës

Një investim i sapopërfunduar është kthyer brenda pak ditësh në burim zhgënjimi dhe problem për banorët e lagjes nr. 8 në qytetin e Durrësit. Pak ditë pas asfaltimit, reshjet e një dite më parë nxorën në pah cilësinë e dobët të punimeve. Rruga është rehabilituar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në fund të dhjetorit, por mjaftoi një ditë shi që asfalti të dëmtohej.

16:00 “M’u shkatërrua gjithçka”/ Biznesmeni përlotet në Gjirokastër: Dëmi 100 mijë euro

Gjirokastra u përfshi mbrëmjen e të martës nga reshje të dendura shiu, të cilat shkaktuan përmbytje masive në qytet. Situata u përkeqësua pas daljes nga shtrati të përroit të Ficos, duke bërë që uji të vërshonte në rrugicat e qytetit dhe disa biznese të përmbyten. Në një prononcim për Top Channel, pronari i një dyqani syzesh optike tha se dëmet mund të arrijnë deri në 100 mijë euro.

15:42 Rrëshqitje masive e dheut në aksin Gjirokastër-Tepelenë, bllokohet një sens lëvizjeje

Për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh, aksi rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, konkretisht në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, funksionon me një sens lëvizjeje.

15:05 Ish-këneta në Durrës ‘nën ujë’, banorja mes lotësh: Duam dëmshpërblim, kam lënë vajzën e sëmurë…

Një grup banorësh të zonës së ish-Kënetës, Durrësit të Ri, kanë protestuar këtë të mërkurë për të kërkuar ndihmë, pasi banesat e tyre vijojnë të jenë nën ujë, ndërsa pasdite parashikohen reshje të tjera.

14:47 Reshjet e shiut në vend, bllokohet aksi Gjirokastër-Tepelenë, krijohet radhë mjetesh 10km e gjatë

Qarkullimi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Hormovë është paralizuar prej disa orësh. Në pamjet e siguruara nga Top Channel vërehet rruga e bllokuar komplet nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve në anë të shpatit.

14:47  “M’u shkatërrua gjithçka”/ Biznesmeni përlotet në Gjirokastër: Dëmi 100 mijë euro

Gjirokastra u përfshi mbrëmjen e të martës nga reshje të dendura shiu, të cilat shkaktuan përmbytje masive në qytet. Situata u përkeqësua pas daljes nga shtrati të përroit të Ficos, duke bërë që uji të vërshonte në rrugicat e qytetit dhe disa biznese të përmbyten.

14:09 Banesat e tyre janë “pushtuar” nga uji, banorët e ish-Kënetës në Durrës dalin në protestë: Askush nuk ka ndërhyrë, situata është emergjente

Një grup banorësh të zonës së ish-Kënetës, Durrësit të Ri, kanë protestuar për të kërkuar ndihmë, pasi banesat e tyre vijojnë të jenë nën ujë, ndërsa pasdite parashikohen sërish reshje.

13:47 Rrugë të bllokuara, ura të dëmtuara dhe banesa në rrezik, ja si paraqitet situata në Bashkinë Kukës pas reshjeve të dendura të shiut

Reshjet e shiut kanë krijuar problematika në disa njësi administrative të Bashkisë së Kukësit. Sipas autoriteteve rrugë të bllokuara ka në 4 njësi Administrative: Zapod, Shishtavec, Topojan dhe Malzi.
13:00 “Durrësi, i përmbytur tre herë në një vit”, Bylykbashi ‘zbarkon’ në qytetin e përmbytur: Nuk është katastrofë natyrore, por njerëzore

Oerd Bylykbashi ka ‘zbarkuar’ në Durrës ku po monitoron situatën nga reshjet e dendura të shiut. Në një prononcim për mediat, demokrati shprehet se situata është më shumë se dramatike, ndërsa thekson se është e shkaktuar nga njeriu.

12:59 “Emergjencat” në aksion/ Situata nga përmbytjet në Durrës, ministri Vengu: Po çlirojmë çdo banesë nga uji

Një nga qytetet më të prekura nga moti i keq është Durrësi, aty ku janë përmbytur qindra banesa për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Top Channel, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu i cili po drejton operacionet e ndihmës në zonat e goditura nga përmbytjet, shprehet se situata po përmirësohet gradualisht.

12:50  Përmbytjet nga moti keq, Berisha: Të shpallet urgjent gjendja e fatkeqësisë natyrore

“Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë. Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore. Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete”-u shpreh Berisha.

12:40 Përmbytjet në vend, Rama ironizon: Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua për reshjet në vendet europiane

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përmbytjeve në disa qytete të vendit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka ndarë pamje të vendeve të tjera të Europës, si Italia, Greqia, Kroacia dhe Mali i Zi që janë përmbytur si pasojë e reshjeve.

12:34 Rrëshqitje masive dheu në Dardhas të Korçës, dëmtohen rrugët dhe varrezat

Reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të madhe të rrugës që lidh qendrën e Njësisë Dardhas me aksin nacional. Për pasojë janë bllokuar disa fshatra. Po ashtu janë dëmtuar varrezat e zonës si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Emergjencat civile dhe forcat e bashkisë janë në terren për monitorimin e situatës.

12:33 Situatë e rënduar në Rrëmenj të Pogradecit/ Rrugët kthehen në lumenj, banorët: Po na shemben shtëpitë

Mbetet e rënduar situata nga moti i keq në fshatin Rrëmenj të Pogradecit. Uji ka vërshuar nëpër rrugë dhe nëpër banesa, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. “Uji ka hyrë nëpër shtëpi, ka bërë dëme. Shtëpitë po shemben, dëme të mëdha ka bërë shiu. Erdhën të bashkisë, s’kanë çfarë të bëjnë”-shprehet një banor.

11:55 Moti i keq në Vlorë/ Evakuohen 13 banesa në Novoselë, rritet niveli i ujit

Kryetari i Njësisë Administrative Novoselë, Kanan Shakaj, ka njoftuar se situata në territor është serioze për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Sipas tij, deri tani niveli ka arritur 7.3 metra dhe pritet të rritet edhe më shumë gjatë orëve në vijim.

11:47 Moti i keq shkakton probleme në furnizimin me energji elektrike, qindra banorë në errësirë

Mbizotërimi i motit të keq në Qarkun Elbasan ka sjellë probleme të përkohshme në furnizimin me energji elektrike në disa zona, si pasojë e dëmtimeve në rrjetin shpërndarës.

11:33 “Situata e përsëritur nga mos pastrimi i kanaleve kulluese”/ Përmbytjet çojnë banorët e fshatit Gjromë në protestë

Përmbytjet e vazhdueshme dhe dëmtimi i rrugës nga vërshimi i ujërave kanë ngritur në protestë banorët e fshatit Gjorm, në Bashkinë Kurbin. Në shenjë indinjate ndaj mosveprimit të pushtetit vendor dhe qendror për parandalimin e përmbytjeve, banorët kanë bllokuar për disa minuta rrugën nacionale Laç–Mamurras ku nuk munguan as përplasjet.

11:21 Rrëshqitje dheu në aksin Qukës-Qafë Plloçë, gurët godasin makinën në lëvizje

Një ngjarje e frikshme ka ndodhur në aksin Qukës-Qafë Pllocë teksa një makinë në lëvizje është goditur nga disa gurë për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Nga incidenti raportohet të ketë vetëm dëme materiale kur mjeti u godit konkretisht në pjesën e përparme të tij.

10:56 Shembet shtëpia e të moshuarve në Vlorë: Muri rrezikonte të na zinte poshtë. Nuk kemi ku të strehohemi

Gjatë natës së kaluar, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si dhe dëmtime (shkarje) të rrugës kryesore që lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster. Si pasojë e shkarjes së dherave, një prej banesave është shembur plotësisht, ndërsa tjetra ka pësuar dëmtime të rënda.

10:40 Video-lajm/ Burgu i Durrësit me gomone në oborr nga përmbytjet, punonjësi: Mos bëj video

Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike, ku për shkak të reshjeve të dendura të shiut, oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Sikurse duket nga videoja e siguruar nga Top Channel, në oborrin e burgut është edhe një gomone, pasi ka vërshim të lartë të ujit.

10:36 Kritike situata në Urën e Mifolit, niveli i ujit arrin në 7.2 m, ja cilët janë fshatrat më të rrezikuara

Situata në Urën e Mifolit paraqitet kritike, duke arritur në nivelin 7.2 metra. Sipas përgjegjësit të sektorit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj, janë marrë të gjitha masat për rritjen e gatishmërisë së strukturave operacionale, për njoftimin e komunitetit, bizneseve dhe blegtorëve që operojnë përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë.

10:32 Reshjet në Pogradec, del nga shtrati lumi i fshatit Rrëmenj, përmbyten disa banesa afër zonës

Edhe Pogradeci është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit. Deri më tani rritur ndjeshëm niveli i ujit të lumit të Starovës dhe lumit të Vërdovës në të cilat ekziston mundësia të dalin jashtë shtratit. Ndërsa lumi i fshatit Rrëmenj ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar një situatë serioze dhe shqetësuese për banorët e zonës. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, përmbytjet kanë prekur disa banesa që ndodhen pranë këtij lumi, ku uji ka depërtuar në ambientet e brendshme.

10:29 800 banesa të përmbytura dhe qindra të evakuuar/ Bilanci nga përmbytjet në Durrës, burgu ende i përmbytur

Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar. Ky është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi.

10:27 Reshjet në Durrës/ Jo vetëm shtëpi të përmbytura, por edhe studio artistike

Pasojë e përmbytjeve në Durrës janë edhe studiot e artistëve. Uji ka depërtuar brenda studios së skulptorit durrsak 87-vjeçar, Nelo Llukaçi, ku artisti ka krijuar e krijon për dekada me radhë, duke rrezikuar seriozisht veprat e tij artistike, skulptura dhe materiale pune me vlerë të veçantë kulturore.

09:52 Situatë e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, dhjetëra fshatra të bllokuara

Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.

09:46 Bllokohet aksi Subash-Tërbuq-Laboë në Gjirokastër/ Rënie dheu dhe inertesh, izolohen banorët e moshuar

Shirat e djeshëm kanë shkaktuar bllokimin e rrugës Subash-Tërbuq-Laboë, në Njësinë Administrative Odrie, Bashkia Gjirokastër. Banorët e këtyre fshatrave, kryesisht të moshuar, janë të izoluar për shkak të prurjeve dhe të inerteve në rrugë. Po ashtu janë regjistruar rënie dheu në shumë segmente, veçanërisht në vendin e quajtur “Blloku i Fiqve”, poshtë fshatit Tërbuq.

09:41 Pasojat e motit të keq/ Niveli i ujit në Obot të Shkodrës arrin në 30-40 cm, bllokohen 15 familje në Bushat

Në Qarkun Shkodër situata hidrometeorologjike paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll, sipas monitorimit të vazhdueshëm nga Institucioni i Prefektit dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashkëpunim me bashkitë. Në Bashkinë Shkodër reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh, por ka ende prezencë uji në disa zona, veçanërisht në rrugën kryesore të Obotit ku niveli i ujit arrin rreth 30-40 cm, duke lejuar kalimin vetëm për mjete të larta. Disa oborre banesash dhe sipërfaqe toke bujqësore në të njëjtat zona mbeten të përmbytura, ndërsa grupet e punës vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren në vendet me risk më të lartë.

09:15 Situata nga reshjet në Korçë, uji u afrohet banesave në disa fshatra, rrëshqitje dheu në aksin Lozhan-Moglicë

Qarku Korçë vijon të monitorohet pas reshjeve të natës, ku situata paraqitet përgjithësisht e qetë, me disa problematika të izoluara. Në bashkinë e Korçës raportohet për prezencë uji në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll (NjA Bulgarec). Rruga për në fshatin Denas (NjA Lekas) është bërë e pakalueshme nga prurjet e përroit; strukturat përgjegjëse kanë marrë masa për ndërhyrje.

08:58 Moti i keq/ Përmbyten pesë banesa në Elbasan, prani uji edhe në disa shtëpi në Belsh

Në Qarkun Elbasan, reshjet e mëngjesit kanë shtuar intensitetin e shiut, duke sjellë prani uji në disa banesa të tjera në bashkinë Belsh, përveç dy rasteve të raportuara më parë, dhe duke krijuar rrezik për disa banesa të tjera. Në akset rrugore të bashkisë ka pasur inerte në rrugë, të cilat janë pastruar, dhe aktualisht nuk ka probleme në qarkullim.

08:51 Reshjet e dendura në Lezhë, evakuohen dy familje në Ishull-Shëngjin dhe Kakarriq

Territori i Qarkut Lezhë është përfshirë nga reshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit, ku sipas Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër kanë rënë 47 mm shi. Autoritetet vazhduan gjatë natës punën për të ndihmuar banorët e rrezikuar nga përmbytjet. Një familje u evakuua në Ishulli Shëngjin, ndërsa një tjetër në Kakarriq, bashkia Balldren. Në qytet, tek Ura e Cenit, disa biznese dhe garazhe u mbrojtën me thasë me rërë për të parandaluar përmbytjet.

08:43 Kritike situata në zonën e ish-Kënetës në Durrës, reshjet përmbytin shtëpitë, uji nuk tërhiqet

Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, që përmbytën Durrësin dhe paralizuan të gjithë jetën në qytet e periferinë e tij, situata në zonën e ish-Kënetës në Durrës vijon të jetë kritike. Uji ka përmbytur gjithçka dhe nuk është tërhequr as nga rrugët dytësore dhe as nga banesat e shumë familjeve.

07:30 Përkeqësohet situata nga reshjet/ Dëmtohen dy banesa nga moti i keq në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka rrëshqitur rruga si dhe janë dëmtuar dy banesa. Rruga është bërë e pakalueshme për automjetet, ndërsa fatmirësisht banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB