“Jam një kafshë, ashtu si… Trump”/ Policia gjen videon e autorit të sulmit në universitetin Brown para se të vetëvritej: Nuk më intereson…  

07/01/2026 12:17

Burri që vrau dy studentë të Universitetit Brown dhe më pas një profesor të Institutin e Teknologjisë në Massachusetts rrëfeu krimet e tij në një video që regjistroi pas ngjarjeve, në të cilën ai duket i papenduar për veprimet e tij dhe nuk përmend motivin, njoftuan autoritetet amerikane ditën e djeshme.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tha se videoja u gjet gjatë hetimit të magazinës në New Hampshire ku Claudio Neves Valente u gjet i vdekur pasi kreu vetëvrasje më 18 dhjetor, pesë ditë pas sulmit të tij.

Neves Valente, 48 vjeç, hyri në ndërtesën e fizikës në universitetin në Rhode Island më 13 dhjetor dhe hapi zjarr mbi studentët ndërsa ata po jepnin provime. Ai vrau Ella Cook dhe Muhammad Aziz Umurzokov dhe plagosi nëntë të tjerë.

Dy ditë më vonë, ai shkoi në Boston, Massachusetts, rreth 50 milje larg, në shtëpinë e një profesori të shquar të MIT, Nuno Loureiro, dhe e vrau atë.

Neves Valente kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara nga Portugalia 25 vjet më parë për të studiuar fizikë në universitetin Brown, por ai kurrë nuk e mori diplomën e tij.

“Nuk më intereson se si më gjykoni ose çfarë mendoni për mua”, tha ai në video. “Nuk jam i interesuar të bëhem i famshëm, të lë një trashëgimi apo diçka të tillë. Nuk kam durim për këtë”, shtoi ai.

Në video, Neves Valente thekson gjithashtu se i pëlqeu fakti që Presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti atë “kafshë”.

“Ai më quajti kafshë, gjë që është e vërtetë. Unë jam një kafshë njësoj si ai”, shprehej vrasësi në video.

Ai dukej se po i referohej deklaratave të Trump në maj 2018, kur i quajti emigrantët “kafshë”, duke bërë thirrje për miratimin e një politike më të rreptë të imigracionit.

Në të njëjtën kohë, Neves Valente theksoi se ai nuk e urren Amerikën. Megjithëse më vonë tha se nuk e do, duke pasur parasysh se ishte gabimi i tij që shkoi në Shtetet e Bashkuara.

Ai u ankua gjithashtu për faktin se ishte plagosur gjatë sulmit të tij ndaj Loureiros.

“Ai pranoi se e kishte planifikuar sulmin ndaj Brown për ca kohë”, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë.

“Edhe pse Neves Valente deklaroi se objektivi i tij ishte Brown, sipas shqyrtimit fillestar të provave të mbledhura, ai nuk shpjegoi motivimin e tij pas sulmit ndaj studentëve në Brown ose kundër profesorit të MIT”, thuhej në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB