Inside Story/ Skema perfekte, si u përdorën pikat e këmbimit valutor në qarkullimin e dhjetëra milionë eurove të krimit në kriptovalutë

07/01/2026 21:40

Në dosjen ‘Bitcoin’ siguruar nga Inside Story thuhet se Organizata kriminale Çopja përdorte çdo mënyrë të mundshme për të forcuar fuqinë e saj dhe për të pastruar paratë e fituara nga krimi. Një nga mjetet më të rëndësishme ishte përdorimi i kriptovalutave.

“Grupet kriminale, kemi parë që historikisht kanë pastruar para në sektorë të tjerë, por sektori i kriptovalutave ka krijuar një farë velloje që mund të pastrohen para lehtësisht, por nuk është aq e thjeshtë, që të kryehet pastrim parash përmes kriptovalutave, sigurisht nuk është e pamundur, por platforma që janë të licencuara, këtu flasim për jashtë Shqipërie pastrimi parave përmes këtyre platformave është deri diku e vështirë sepse padyshim, kanë njohjen e klinetit”, u shpreh pedagogia Nadia Elbasani.

“Bashkëpunim ndërkombëtar që ka të bëjë me bursat kryesore të portofolave dixhitale dhe ato që qarkullojnë kryesisht kriptomonedha siç është Binancie apo edhe një kompani tjetër apo bursë tjetër e krijuar që në vitin 2011 në SHBA, me emrin Cragen. Këto dyja janë bursat kryesore të cilat organet ligjëzbatuese shqiptare, kanë vepruar në bashkëpunim ndërkombëtar”, u shpreh ish-prokurori Eugen Beci.

SPAK, me ndihmën e ekspertëve të blockchain-it, zbuloi se transaksionet kryheshin përmes rrjetit TRON/TETHER, me vlera të mëdha.

Në dosje përmenden 4 transaksione me vlera 105 mijë, 237 mijë, 978 mijë dhe rreth 2 milion dollarë. Këto shuma dyshohen se janë para të fituara nga trafiku i drogës.

“Në momentin që një platformë e licencuar e njeh personin i cili kryen transaksion, padyshim vështirësia për të kryer pastrim parash në këto platforma është e shtuar. Por, fatkeqësisht kemi platforma të cilat nuk e kanë identifikimin e klientëve. Dhe këto platforma kanë më shumë potencial për tu pastruar para grupet kriminale”, u shpreh Nadia Elbasani.

“Një ekspert IT, mund të shikojë direkt në bloÇhange, të gjitha transaksionet se nga po vijnë, ku po shkojnë, tek cilat exchange janë këto fonde, dhe më pas n.q.s. këto fonde po lëvizin nga një exchange dhe po shkojnë në një exchange tjetër. Por kjo kërkon shumë eksperiencë kërkon shumë ekspertizë, gjithashtu edhe disa software që janë shumë të avancuar për trakimin dhe gjurmimin e këtyre echangeve”, u shpreh Dorian.

Hetuesit u përqendruan fillimisht në portën hyrëse, pra exchange-et. Këto platforma të centralizuara, ku të ardhurat shndërrohen në kripto me një klik, janë vendi ku paratë e pista marrin maskën e legjitimitetit.

Në shumë raste në botë dhe po ashtu në këtë dosje, operatorët përdorin pika këmbimi lokale për të legalizuar flukset. Kjo mendohet të jetë edhe arsyeja e implikimit të dy personave që operojnë në biznesin e këmbimit valutor.

Hetimi zbuloi një strukturë të qartë: para të sigurta që përkojnë me shitje droge kalonin në llogari bankare në vende të tjera, nga aty bliheshin në Tether, Ethereum, Bitcoin, dhe dërgoheshin në kuleta digjitale të një rrjeti të përhapur përdoruesish.

Një pjesë e rrjetit ishte e qartë: llogari në Binance llogari të tjera të hostuara në një platformë që rezultoi të ishte “ALT 5 Sigma”, dhe ndërmjet tyre kuleta që mbanin transaksionet e mëdha.

“Organi i prokurorisë ka gjithë të drejtën që të vendosi sekuestro, nëse dyshon se ky wall është përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale, por duhet të hetojë, të mbledhë provat për të shkuar në rastin e konfiskimit. Por ka edhe një problematikë shumë të rëndësishme këtu që është problematika e Çelësit”, u shpreh avokati, Dritan Jahaj.

Ndërsa hetimi avanconte, një element i qartë u shfaq: SOLUTION SRL, një kompani e regjistruar në qytetin e Milanos në Itali. Ajo kompani, nuk ishte më shumë se një kabinet që mbulonte flukset.

Nga data 23 tetor 2024 deri më 9 korrik 2025, të dhënat e transaksioneve treguan blerje kriptomonedhash në vlerë me rreth 40 milionë dollarë. Pra, shumë më tepër se vlera e deklaruar deri më sot prej 10 milionësh. Siç nxori në pah dokumentacioni, paratë hynin nga llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë drejt një xhungle të transaksioneve digjitale. Më tej, përshkonin disa kuleta dhe më në fund, silleshin në adresat që hetuesit e lidhën me anëtarët e organizatës nga Elbasani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB