Banesat e tyre janë “pushtuar” nga uji, banorët e ish-Kënetës në Durrës dalin në protestë: Askush nuk ka ndërhyrë, situata është emergjente

07/01/2026 14:09

Një grup banorësh të zonës së ish-Kënetës, Durrësit të Ri, kanë protestuar për të kërkuar ndihmë, pasi banesat e tyre vijojnë të jenë nën ujë, ndërsa pasdite parashikohen sërish reshje.

Sipas tyre, kanalet kulluese janë të bllokuara, ndërsa niveli i ujit ka arritur rreth 30 centimetra në oborre dhe brenda shtëpive.

Sipas banorëve, uji nuk po tërhiqet dhe askush nuk ka ndërhyrë për ta larguar atë nga rrugicat dhe banesat. Ata thonë se dëmet materiale janë shumë të mëdha, po asnjë grup verifikimi për të parë nga afër situatën nuk ka shkuar në zonë dhe ndihen të lënë në mëshirë të fatit.

Ata kërkojnë mbështetje dhe një ndërhyrje të shpejtë për të përballuar situatën emergjente.

Ndërkaq në terren po punohet për hapjen dhe pastrimin e kanaleve të bllokuara, që të rrjedhë uji. Tre ekskavatorë po punojnë për hapjen e kanalit kryesor që kalon në zonën e ish-Kënetës ku shumë banesa dhe rrugica e rrugë janë në ujë dhe po ashtu dhe Burgu. Gjithashtu me mjete po punohet për hapjen e kanalit te Ura e dajlanit të bllokuar te Gega Oil. Me këto ndërhyrje pritet që të nisë rënia e nivelit të ujit në zonat e ish-Kënetës, Shkozetit dhe Plazhit.

Priten 1200 pako nga Rezervat e Shtetit që t’u shpërndahen banorëve të prekur nga përmbytjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB