“Tmerri” në klubin e natës në Zvicër, hetimi: Pa kontroll antizjarri, dera e emergjencës mbyllej me çelës

06/01/2026 16:31

Verifikimet e para tregojnë se për gjashtë vjet, nga viti 2020 deri në vitin 2025, nuk ishin kryer kontrolle kundër zjarrit në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, ku natën e Vitit të Ri humbën jetën tragjikisht mes flakëve 40 të rinj.

Komuna e Crans-Montana pohoi në një njoftim se në 2015-ën, pronari i këtij lokali kishte kërkuar leje ndërtimi për një verandë përpara hyrjes dhe kishte kryer në mënyrë të pavarur punime të brendshme. Pronarët e klubit, bashkëshortët Jacques dhe Jessica Moretti, vazhdimisht kanë deklaruar se ishin në përputhje me rregullat.

Zvicra zbaton rregullore në nivel federal, por secili kanton ka normativën e vet për parandalimin e zjarreve dhe fatkeqësive natyrore. Pas hetimeve të para, Prokuroria rajonale e drejtuar nga Beatrice Pilloud ka vënë nën hetim pronarët që akuzohen për vrasje nga pakujdesia, plagosje dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Ata nuk janë arrestuar deri më tani, sepse për momentin ndaj tyre nuk ekzistonin “kriteret për të vendosur masën e paraburgimit me arsyetimin se nuk ka dyshime për arratisje. Planimetria e strukturës sakaq, tregon se hyrja e barit në katin përdhes është vetëm një metër e gjysmë e gjerë dhe hapet nga brenda dhe jo nga jashtë, siç e kërkojnë rregullat.

Mediat në Itali citojnë dy ish-punonjës të “Constellation”, një grua dhe një burrë, të cilët pohojnë se në vitin 2023 e vetmja dalje emergjence e bodrumit kishte qenë pjesërisht e fshehur brenda një zone për duhanpirësit dhe mbyllej me çelës për të penguar të rinjtë që të largoheshin pa paguar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB