Situata në Gjirokastër paraqitet kritike si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Përroi i Ficos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të mëdha në disa zona të qytetit. Ujërat e rrëmbyeshëm kanë vërshuar në rrugë, duke marrë përpara automjete dhe duke përmbytur banesa e biznese.
Lagjja Varrosh është ndër zonat më të prekura, ku rrjedha e përroit të Ficos ka marrë përpara një automjet të parkuar pranë zonës muzeale, shumë afër shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare.
Përmbytje të rënda janë regjistruar edhe në lagjen e poshtme “18 Shtatori”, ku rreth 50 biznese janë përmbytur, si dhe disa banesa.
situata është përkeqësuar nga dalja nga shtrati e përroit të Çullos dhe e përrenjve të tjerë malorë, të cilët kanë shkaktuar vërshime të fuqishme në rrugët e qytetit dhe zona të banuara. Niveli i ujit është rritur ndjeshëm edhe në zonën e njohur si Ura e Lumit.
Në Bllokun e Furrave, lagjja Punëtori, një djalë 23-vjeç është shpëtuar mrekullisht nga mbytja, pasi u nxor nga ujërat e rrëmbyeshëm nga shërbimet zjarrfikëse.
Situata u rëndua më tej nga dalja nga shtrati e liqenit të Viroit, ku uji ka vërshuar në aksin kombëtar Gjirokastër–Tepelenë, duke shkaktuar probleme serioze në qarkullimin e mjeteve.
Si pasojë e motit të keq, për disa orë gjysma e qytetit ka mbetur pa energji elektrike. Deri më tani nuk raportohet për evakuime, por dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe situata nga përmbytjet në Gjirokastër vijon të mbetet problematike.
Top Channel