Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve.

Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

Aktualisht, mësimi po zhvillohet vetëm në katër shkolla. Një prej tyre është shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në qytetin e Durrësit, ndërsa tre të tjerat ndodhen në njësitë administrative. Konkretisht, mësimi vijon, sipas ZVA-së, në shkollën “Njazi Mastori” në Sukth, “Rexhep Mezini” në Ishëm dhe “Pren Simoni” në Draç.

ZVA Durrës bën me dije se vendimi është marrë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit mësimor, ndërsa situata po monitorohet në vijimësi dhe mësimi do të rifillojë sapo kushtet të normalizohen.

Mësimi është pezulluar në këto çerdhe e kopshte:

Kopshti “Sotir Noka”

Kopshti “Met Hasa”

Çerdhja nr.1

Konvikti “Beqir Çela”

Kopshti “Neim Babameto”

Kopshti “Durrësi i Ri”

Kopshti “Fidanishtja”

Po kështu procesi mësimor është pezulluar në të gjitha shkollat.

Në kodrën e Currilave janë evidentuar rrëshqitje dheu, ndërsa disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura. Rrugët problematike janë:

Rruga “Mujo Ulqinaku”

Rruga “Hysen Myshketa”

Rruga “Marta Buda”

Rruga “Jahja Ballhysa”

Rruga “Kristo Sotiri”

Rruga “Glaukia”

Rruga “Vaso Pasha”

Rruga “Jeta Re”

Rruga “Vllazërimi”

Rruga “Jezerca”

Rruga “Azem Hajdari”

Rruga “Mbreti Pirro”

Rruga “Enkelejve”

Këto rrugë ndodhen në lagjet nr. 12, 13, 14, 17 dhe 18. Gjithashtu, ka bllokime të qarkullimit nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri.

Situatë problematike paraqitet në njësinë administrative Rrashbull si dhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit. Deri më tani janë evakuuar 10 familje, me nga 3–4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Kovalishencës.

Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e dendura pritet të vijojnë deri në orët e drekës. Për këtë arsye, u bëhet thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.
Të gjitha ekipet e Bashkisë së Durrësit ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB