Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër.

Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.

Në Bashkinë Kurbin reshjet kanë qenë intensive gjatë gjithë natës, me intensitet mesatar dhe herë-herë të lartë, të shoqëruara me vetëtima. Deri tani, është raportuar vetëm një rast i përmbytjes së një familjeje në Milot, ndërsa kanalet janë në kuota të larta dhe punonjësit e emergjencës po monitorojnë situatën. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike vazhdon normalisht dhe procesi mësimor nuk është ndërprerë.

Në Bashkinë Lezhë, uji ka përmbytur oborret e shkollave “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”, duke penguar zhvillimin e mësimit. Lumi Drin është arritur në kuota kritike, me fillim të zonës së rrezikut të lartë, ndërsa shumë toka në zonën e Zadrimës, Gjadërit, Zojzit, Gramshit, Kodhelit, Brinishtit, Pirajt, Torovicës, Malecaj, Balldren, Rrabosht, Mërqi, Spitenit, Treshit dhe Barbullojës janë përmbytura. Një familje në Torovicë ka kërkuar ndihmë emergjente pasi uji ka arritur 50 cm brenda banesës. Kanalet kryesore janë në kuota maksimale dhe punonjësit po punojnë për largimin e ujit nga oborret e shkollave, ndërsa OSHEE raporton ndërprerje të furnizimit në fshatrat Shënkoll, Gajush dhe pjesërisht Tale.

Në Bashkinë Mirditë reshjet kanë qenë intensive, por deri tani nuk ka problematika serioze për banesat. Lumi Zalli Zmesë pranë qytetit është rritur, por nuk ka rrezik për përmbytje, ndërsa disa zona periferike të Rrëshenit po përballen me mungesë energjie.

Hidrovorët po punojnë me kapacitet maksimal për largimin e ujit, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se lumenjtë Drin dhe Mat ndodhen në kuota tërreziku të lartë. Aktualisht nuk raportohen probleme të mëdha me akset rrugore. Strukturat e emergjencës dhe autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjeve dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB