Alketa Gashi sjell “Klithmat” e fëmijëve të gjymtuar nga serbët në Luftën e Kosovës
Shoqëria shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore e cilësonte gruan më të dobët dhe më inferiore se burrat.
Duke ditur problemet serioze në statusin e vajzave, Partia e Punës i përdori për ideologjinë e saj, pasi konsideronte se vetëm përmes emancipimit të grave mund arrihej ‘demokracia dhe liria e vërtetë’.
“Shfaqet një grua e re, heroinë, sakrifikuese, ndjek ideologjinë e partisë”, u shpreh autorja e librit, Malda Lika.
Malda Lika është 25 vjeçe, nuk e ka jetuar diktaturën, por vendosi që temë për diplomën në degën Kinema dhe Media në Universitetin e Torinos të zgjidhte ‘gruan shqiptare në komunizëm’, që në bashkëpunim me Arkivin e Filmit e solli si botim studimor.
“Figura e parë ishte ajo e gruas partizane, sikurse duket te ‘Dimri i fundit’, ‘Shtetrrethimi’, ka shumë filma ku del gruaja partizane, që ishte dhe një mënyrë për të theksuar që ishin ata që e çliruan Shqipërinë nga armiqtë”, tha studentja Malda Lika.
Duke analizuar kinematografinë e komunizmit, ajo përshkruan Gruan e Re Socialiste, që del jo vetëm si punëtore dhe qytetare e përkushtuar, por edhe nënë e modeluar sipas idealeve socialiste, duke përfaqësuar bashkimin e përparimit ekonomik dhe riprodhimit të vlerave të shoqërisë.
I vetëdijshëm për fuqinë e kinemasë, realizmi socialist financoi prodhimin e një sërë filmash, dokumentarësh dhe komedish për të përcjellë konceptin e barazisë gjinore.
“Gruaja tani nuk është më ajo që jeton brenda mureve, është çliruar me këtë ideologjinë e re, bazuar në zhvillimin ekonomik, në triumfin kundrejt borgjezisë, kundrejt kapitalizmit. Është një grua e barabartë, bën ato profesione që tradicionalisht konsideroheshin mashkullore. E pamë që ajo është traktoriste, po ashtu është një grua e arsimuar”, tha ajo.
Filma si “Vajzat me kordele të kuqe”, “Tana”, “Brazdat”, “Vitet e pritjes”, “Kapedani”, Përrallë e kaluara u përdorën si mjet propagande për të përhapur mesazhin revolucionar të përfshirjes së grave në transformimin social dhe ekonomik.
“Filmi ‘Tana’ flet pikërisht për gruan që zgjedh vetë burrin e saj”, tha Lika.
“Makthi i Kapedanit janë gratë në role të ndryshme. Ai nuk e pranon dot këtë gjë, por në fund e pranon”, shtoi ajo.
Gjatë diskutimit, profesionistët e filmit vunë theksin te nevojë për më shumë kërkime dhe studime për figurën e gruas në filmat shqiptarë, por edhe figurës mashkullore, duke zbuluar dinamikat brenda shoqërisë.
Top Channel