Goditet kalimi i paligjshëm i kufirit në Rinas, arrestohen gjashtë shtetas kinezë dhe një bjelloruse

06/01/2026 15:02
foto ilustruese

Kontrollet e shtuara në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë kanë zbuluar disa raste të shkeljeve të ligjit në pikën kufitare të Rinasit.

Sipas Policisë Kufitare, janë goditur 6 raste të tentativës së kalimit të paligjshëm të kufirit me dokumente false, si dhe 1 rast kontrabande me mallra të ndaluara dhe të licencuara, duke çuar në arrestimin e 6 shtetasve kinezë dhe të një shtetaseje nga Bjellorusia.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 6 dokumente të falsifikuara dhe një sasi produktesh estetike që transportoheshin pa lejet dhe kushtet e posaçme të kërkuara nga ligji, ndërsa autoritetet paralajmërojnë vijimin e verifikimeve për forcimin e sigurisë kufitare.

Njoftimi:

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit goditën 6 raste të tentativës për të kaluar kufirin me dokumente false.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”, shtetasit M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe shtetasja G. H., 43 vjeçe, të gjithë shtetas kinezë.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit të këtyre shtetasve, ata kanë paraqitur pasaporta të shtetit të Hong Kongut, për të cilat shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara.
Nga ekzaminimi në laborator, pasaportat rezultuan të falsifikuara.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit në hyrje, shtetasja A. W., 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, në intervistimin nga punonjësi i Policisë ka qenë dyshuese për qëllimin e udhëtimit në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë arsye ka kaluar për kontroll në vijën e dytë.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shtetases A. W. iu gjetën dhe sekuestruan një sasi mallrash për qëllime estetike (botox dhe fillera), për të cilat kërkohen kushte të veçanta për transport, si dhe licencë e posaçme posedimi dhe përdorimi, të cilat kjo shtetase nuk i dispononte.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetases A. W., për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

Kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB