Rubio takim me zyrtarët danezë javën e ardhshme, Sekretari i Shtetit shmangu komentin mbi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Groenlandë
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk kanë komunikuar paraprakisht me rrethin e zëvendëspresidentes së Venezuelës, Delcy Rodríguez, përpara operacionit ushtarak amerikan që çoi në kapjen e Nicolás Madurros.
“Jo, kjo nuk është e vërtetë”, tha Trump në një intervistë për NBC News, duke theksuar se Rodríguez ka bashkëpunuar me SHBA-të pas zhvillimit të operacionit. Ai nuk konfirmoi nëse ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë mes tij dhe Rodríguez, e cila u betua të hënën si presidente në detyrë e Venezuelës.
Trump paralajmëroi se SHBA-të janë të gatshme të ndërmarrin një operacion të dytë ushtarak në Venezuelë nëse Rodríguez ndalon bashkëpunimin, por shtoi se nuk mendon se kjo do të jetë e nevojshme.
“Jemi të përgatitur ta bëjmë. Në fakt, e kishim parashikuar një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Rodríguez, duke komunikuar me të në spanjisht. Sipas Trump, marrëdhënia mes tyre ka qenë “shumë e fortë”.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensioni të lartë politik dhe diplomatik pas arrestimit të Madurros, ndërsa vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar te zhvillimet e ardhshme në Venezuelë.
Top Channel