Stuhi dhe kaos udhëtimesh në Europë, regjistrohen 6 viktima në Francë dhe Bosnje. Përmbytet sheshi i Shën Pjetrit në Romë, temperaturë -12 gradë në Britani
Përfaqësuesi i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Ambasadori Michael Waltz, mbrojti operacionin e fundit amerikan në Venezuelë para Këshillit të Sigurimit, duke e përshkruar atë si një “operacion kirurgjikal të zbatimit të ligjit”, me ndihmën e forcave të armatosura, kundër dy personave të kërkuar nga sistemi i drejtësisë amerikane: Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Celia Flores.
Siç theksoi ai, kjo nuk ishte një luftë apo pushtim i një vendi, por zbatim i aktakuzave ekzistuese dhe të hershme. Z. Waltz e përshkroi Maduron si një “narkoterrorist në arrati” dhe një “president i paligjshëm”, duke argumentuar se ai nuk ka legjitimitet ndërkombëtar, veçanërisht pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 2024, të cilat – siç tha ai – u vlerësuan nga një raport nga një grup ekspertësh i OKB-së si plotësisht të pamjaftueshme në aspektin e transparencës dhe integritetit.
Ai kujtoi se më shumë se 50 shtete, përfshirë Bashkimin Evropian dhe vendet e Amerikës Latine, nuk e njohën legjitimitetin e rizgjedhjes së tij.
Sipas ambasadorit të SHBA-së në OKB, z. Maduro udhëheq “Cartel de los Soles”, i cili është përcaktuar si një organizatë terroriste e huaj, dhe bashkëpunon me rrjete kriminale si “Tren de Aragua”, të cilat – sipas Uashingtonit – po zhvillojnë një “luftë të pazakontë” kundër SHBA-së përmes drogës, dhunës dhe aktiviteteve të paligjshme. Ai gjithashtu iu referua Raportit Botëror të OKB-së për Drogën për vitin 2025, i cili e rendit Venezuelën si një rrugë kryesore të trafikimit të kokainës.
“Shtetet e Bashkuara duan një të ardhme më të mirë për Venezuelën. Ne besojmë se një e ardhme më e mirë për popullin e Venezuelës, por edhe për njerëzit e rajonit dhe të gjithë botës, kërkon stabilizimin e rajonit dhe krijimin e një mjedisi shumë më të mirë dhe më të sigurt në lagjen ku jetojmë”, theksoi ai.
Z. Waltz denoncoi shkeljet e përhapura të të drejtave të njeriut nga regjimi i Maduros, duke vënë në dukje se më shumë se tetë milionë venezuelianë janë larguar nga vendi.
“Dua të përsëris se Presidenti Trump i dha një shans diplomacisë. Ai i ofroi Maduros rrugë të shumta për uljen e tensioneve. Ai u përpoq të ulte tensionin. Maduro refuzoi t’i pranonte ato. Presidenti Trump e bëri të qartë se narko-terrorizmi duhet të ndalet, megjithatë ai vazhdoi”, vuri në dukje ai.
Në mbyllje, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kërkojnë “një të ardhme më të mirë për Venezuelën”, duke deklaruar se nuk do të heqë dorë nga e drejta e saj për të mbrojtur qytetarët e saj dhe për t’u përballur me narkoterorrorizmin në Hemisferën Perëndimore.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen në veprimet e tyre për të mbrojtur amerikanët nga plaga e narkoterorrorizmit dhe kërkojnë paqe, liri dhe drejtësi për popullin e madh të Venezuelës”, tha z. Waltz.
Top Channel