Detaje nga arrestimi i Presidentit të Venezuelës/ Tentuan t’u fshiheshin forcave amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij përplasën kokën pas derës së çeliktë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shprehu shqetësime në lidhje me një intensifikim të mundshëm të paqëndrueshmërisë në Venezuelë pas kapjes së presidentit të vendit Nicolas Maduro, nga SHBA-të.
Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh u mblodh në selinë e OKB-së në Nju Jork vetëm disa orë para se Maduro të paraqitej në gjykatën federale të Manhattanit për akuza për drogë, përfshirë konspiracion dhe narko-terrorizëm, ndërsa ai vetë ka mohuar çdo përfshirje kriminale.
Guterres u bëri thirrje të gjithë aktorëve venezuelianë të angazhohen në një dialog gjithëpërfshirës dhe demokratik.
“Unë mirëpres dhe jam i gatshëm të mbështes të gjitha përpjekjet që synojnë të ndihmojnë venezuelianët në gjetjen e një rruge paqësore përpara”, tha ai.
Sipas mediave, ai gjithashtu shprehu shqetësim se operacioni amerikan për të kapur Maduron në Karakas të shtunën nuk respektoi rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
“Jam thellësisht i shqetësuar për intensifikimin e mundshëm të paqëndrueshmërisë në vend, ndikimin e mundshëm në rajon dhe precedentin që kjo mund të krijojë për mënyrën se si zhvillohen marrëdhëniet midis shteteve”, tha Guterres në një deklaratë të dorëzuar në këshill nga shefja e çështjeve politike të OKB-së, Rosemary DiCarlo.
Kolumbia, e cila kërkoi takimin e së hënës, e dënoi operacionin e SHBA-së si një shkelje të qartë të sovranitetit, pavarësisë politike dhe integritetit territorial të Venezuelës.
Ekspertët ligjorë kanë thënë se operacioni amerikan ishte i paligjshëm sepse nuk kishte autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk kishte pëlqimin e Venezuelës dhe nuk përbënte vetëmbrojtje kundër një sulmi të armatosur.
Por Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbahen përgjegjëse për ndonjë shkelje nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili është i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë vetoje së bashku me Rusinë, Kinën, Britaninë dhe Francën mund të bllokojnë çdo veprim.
Karta themeluese e OKB-së thotë se anëtarët “duhet të përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”. Aktualisht, Kombet e Bashkuara kanë 193 anëtarë.
Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, të dielën citoi Nenin 51 të Kartës së OKB-së, i cili thotë se asgjë “nuk duhet të cenojë të drejtën e lindur të vetëmbrojtjes individuale ose kolektive nëse ndodh një sulm i armatosur kundër një anëtari të Kombeve të Bashkuara”.
Trump ka kërcënuar me një tjetër sulm nëse Venezuela nuk bashkëpunon me hapjen e industrisë së saj të naftës dhe ndalimin e rrjedhës së drogës. Trump kërcënoi gjithashtu Kolumbinë dhe Meksikën, dhe tha se qeveria komuniste e Kubës “duket sikur është gati të bjerë”.
Top Channel