Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, flet i dërguari i SHBA-së në OKB: Nuk po pushtojmë asnjë vend, duam një të ardhme të mirë për Venezuelën

05/01/2026 18:09

Kapja e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, u përshkrua nga i dërguari i SHBA-së në Kombet e Bashkuara si një “operacion i zbatimit të ligjit”, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara “nuk po pushtojnë një vend”.

Mike Waltz e përshkroi veprimin ushtarak amerikan në Venezuelë të shtunën si një “operacion kirurgjikal të zbatimit të ligjit, i lehtësuar nga ushtria amerikane, kundër dy të arratisurve të akuzuar nga drejtësia amerikane: narko-terroristi Nicolás Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores”.

Sipas ‘CNN’, ai tha në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Maduro është “përgjegjës për sulmet ndaj popullit të Shteteve të Bashkuara, destabilizimin e hemisferës perëndimore dhe shtypjen e paligjshme të popullit të Venezuelës”.

“Nuk ka luftë kundër Venezuelës apo popullit të saj. Ne nuk po pushtojmë një vend”, shtoi Waltz.

I dërguari theksoi se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili deklaroi të shtunën se Shtetet e Bashkuara do të “drejtojnë” Venezuelën derisa të sigurohet një “tranzicion i sigurt, i duhur dhe i drejtë”, i kishte dhënë diplomacisë një shans, të cilin, sipas tij, Maduro nuk e shfrytëzoi.

“Shtetet e Bashkuara duan një të ardhme më të mirë për Venezuelën. Ne besojmë se kjo do të stabilizojë rajonin dhe do ta bëjë lagjen ku jetojmë një vend më të sigurt dhe më të mirë, jo vetëm për popullin e Venezuelës, por edhe për popujt e rajonit dhe të botës”, tha Waltz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB