Nga jeta luksoze drejt qelisë, Maduro do të dërgohet në burgun ku u mbajt “njeriu më i urryer në Amerikë”, Martin Shkreli

04/01/2026 09:15

Nicolás Maduro, pritet të transferohet nga jeta e tij luksoze në Qendrën Metropolitan të Paraburgimit (MDC) në New York City, burgun famëkeq ku kanë qëndruar disa nga emrat më të urryer dhe më të njohur në SHBA, mes tyre edhe Martin Shkreli, i quajtur dikur “njeriu më i urryer në Amerikë”.

I përshkruar si “i neveritshëm” dhe me kushte “të tmerrshme”, MDC njihet për kushtet e mjerueshme, mungesën kronike të personelit, dhunën ndaj të burgosurve dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.

I ndërtuar në vitet 1990 për të luftuar mbipopullimin e burgjeve, objekti ka strehuar figura të profilit të lartë si këngëtari R. Kelly, “Pharma Bro” Martin Shkreli, Ghislaine Maxwell, ish-manipulatori i kriptomonedhave Sam Bankman-Fried dhe manjati i muzikës Sean “Diddy” Combs. Aty është mbajtur gjithashtu edhe i dyshuari për udhëheqës i kartelit, Ismael “El Mayo” Zambada Garcia, teksa priste gjyqin për vrasje dhe trafik droge.

“Është një vend shumë i vështirë për të qenë i burgosur”, deklaroi avokati i Combs, Marc Agnifilo, në fund të vitit 2024, duke paralajmëruar se qëndrimi në MDC e bën pothuajse të pamundur përgatitjen për gjyq.

Dhuna mbetet një kërcënim i vazhdueshëm. Një i burgosur u godit me thikë për vdekje në qershor 2024, ndërsa një tjetër humbi jetën në një sherr vetëm një muaj më vonë.

Në vitin 2019, një ndërprerje e energjisë elektrike i la të burgosurit në errësirë pothuajse totale dhe në temperatura të ulëta për rreth një javë. Ngjarja çoi në një hetim të Departamentit të Drejtësisë dhe përfundoi me një dëmshpërblim prej 10 milionë dollarësh për rreth 1,600 të burgosur. Sipas padisë, ata ishin mbyllur në qelitë e tyre për ditë të tëra dhe u detyruan të duronin kushte johigjienike, me tualete që nuk funksiononin.

Qendra Korrektuese MDC është aktualisht e vetmja qendër korrektuese federale që i shërben New York City-t, pas mbylljes së kompleksit në Manhattan, pas vetëvrasjes në vitin 2019 të financuesit multimilioner dhe të akuzuarit për trafikim seksual, Jeffrey Epstein.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB