“Groenlanda nuk është në shitje”/ Kryeministrja daneze i bën thirrje Trumpit: Boll me kërcënime ta pakuptimta

04/01/2026 21:39

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Presidentit amerikan Donald Trump që të ndalë kërcënimet lidhur me marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë të drejtë ta aneksojnë territorin.

“Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për nevojën që SHBA të marrë nën kontroll Groenlandën,” deklaroi Frederiksen, duke shtuar se “SHBA nuk ka të drejtë të aneksojë asnjë nga tre kombet e Mbretërisë Daneze”.

Reagimi i kryeministres daneze vjen pas një postimi provokues në rrjetet sociale nga Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller – një prej këshilltarëve të Trump – e cila publikoi një hartë të Groenlandës të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me fjalën “së shpejti”.

Donald Trump ka ngritur disa herë idenë e aneksimit të Groenlandës nga SHBA, duke përmendur pozicionin e saj strategjik në Arktik dhe pasuritë e mëdha minerare. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë daneze, Frederiksen tha se po i drejtohej Uashingtonit “shumë drejtpërdrejt”, shkruan BBC.

Ajo theksoi se Danimarka, dhe rrjedhimisht edhe Groenlanda, janë pjesë e NATO-s dhe të mbuluara nga garancia e sigurisë së aleancës. Sipas saj, ekziston tashmë një marrëveshje mbrojtjeje mes Danimarkës dhe SHBA që i jep Uashingtonit akses në Groenlandë, ndërsa Kopenhaga ka rritur investimet në sigurinë e rajonit Arktik.

“U bëj thirrje fuqishëm Shteteve të Bashkuara të ndalojnë kërcënimet ndaj një aleati historikisht të afërt dhe ndaj një vendi dhe një populli që e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë në shitje,” tha Frederiksen.

Edhe ambasadori danez në SHBA reagoi ndaj postimit të Miller, duke rikujtuar se dy vendet janë aleate dhe se Danimarka pret respekt për integritetin e saj territorial.

Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që prej vitit 1979, ndonëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën përgjegjësinë e Danimarkës. Ndërsa shumica e groenlandezëve mbështesin pavarësinë e ardhshme nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj çdo ideje për t’u bërë pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB