Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e 67-vjeçarit Hysni Ymeraj, i cili mbeti i vdekur nga një shpërthim me lëndë plasëse, dhe jo si pasojë e një defekti në panelin e matësve të energjisë elektrike, siç dyshohej fillimisht.
Ngjarja ndodhi paraditen e 29 dhjetorit, në lagjen “Manush Alimani”, ndërsa lidhur me ngjarjen janë identifikuar dhe arrestuar katër persona të dyshuar si autorë të përfshirë në këtë krim: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Sipas Policisë, nga provat e mbledhura dyshohet se të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe kundrejt pagesës, kanë vendosur dhe aktivizuar lëndën plasëse në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima.
Njëri prej të arrestuarve, Gerti Bushati dyshohet të jetë paguar 1 mijë e 500 euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte 67-vjeçari, mirëpo ai është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke kaluar në zonë.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar si prova materiale 28 celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, rroba të dyshuara të përdorura gjatë vendosjes së lëndës plasëse, municion, sasi parash në lekë dhe euro, lëndë narkotike, një sasi kokaine, 3 pajisje GPS gjurmimi, 2 kamera sigurie dhe një laptop. Policia njofton se vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe për sqarimin e plotë të motiveve.
Top Channel