“Sugjeroj rrëmbimin e ‘neonazistit’ Merz”, batuta e besnikut të Putin pas arrestimit të Maduros: Do ishte e kthesë e mirë për të gjithë
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sulm të bujshëm kundër disa objektivave në Venezuelë, përfshirë edhe baza ushtarake në vend.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se ushtria amerikane ka “kapur presidentin e Venezuelës, Maduro, dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores, dhe i ka nxjerrë nga vendi”, në një veprim të kryer “në koordinim me administratën e drejtësisë amerikane”.
Një konferencë shtypi për të shpjeguar detajet e aksionit është parashikuar për orën 17:00, sipas orës italiane, nga rezidenca e Trumpit në Mar-a-Lago, Florida. Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, iu drejtua vendit me një mesazh në televizionin shtetëror dhe tha se kërkon nga Shtetet e Bashkuara “një konfirmim të menjëhershëm për gjendjen e jetës së presidentit Maduro dhe të zonjës së parë”. Sipas Rodríguez, operacioni ka shkaktuar vdekjen e zyrtarëve qeveritarë, ushtarakë dhe civilë. Ndërkohë, burime të brendshme të opozitës venezueliane i kanë thënë mediave ndërkombëtare se largimi i Maduros ka qenë “i negociuar” prej tij vetë.
Maduro është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar zgjedhjet që e çuan në pushtet. Lideri venezuelian, i cili mori pushtetin pas Hugo Chávez-it, kishte kundërpërgjigjur duke akuzuar SHBA-të se duan të vënë dorë mbi rezervat e naftës së Venezuelës, më të mëdhatë në botë.
Trump, i cili urdhëroi sulmin, kishte përmendur në javët e fundit mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës në emër të një “lufte kundër kartelëve të drogës” dhe kishte deklaruar se ditët e presidentit venezuelian Nicolás Maduro ishin “të numëruara”.
Objektivat: Parlamenti dhe mauzoleu i Chávez-it
Sulmi, të cilin Trump e përkufizoi “në shkallë të gjerë”, shkaktoi shpërthime të forta që nga ora 2 e mëngjesit, sipas orës lokale (ora 7 e mëngjesit në Itali), në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe në zona të tjera të shteteve Miranda, Aragua dhe La Guaira, ku qeveria konfirmoi se janë goditur disa baza ushtarake. Presidenti kolumbian Gustavo Petro ndau, pak pas sulmit, një listë të objektivave të goditura: ndër to në Karakas janë selia e Parlamentit dhe Cuartel de la Montaña, ku ndodhet mauzoleu i Hugo Chávez-it, një vend me simbolikë të lartë. Sipas Petros, dhe sipas disa dëshmive në rrjetet sociale, në Karakas është goditur edhe Fuerte Tiuna, kompleksi kryesor ushtarak i vendit, si dhe baza ajrore La Carlota në qendër të kryeqytetit. Para njoftimit të Trumpit për kapjen e Maduros, Petro kishte shpallur edhe nisjen e një plani mbrojtjeje ushtarake në pallatin presidencial Miraflores.
Jashtë kryeqytetit, ndër objektivat e përmendur janë: baza e avionëve luftarakë F-16 në Barquisimeto, baza ushtarake e helikopterëve në Higuerote, aeroporti i El Hatillo dhe aeroporti privat i Charallave, në jug të Karakasit.
Kapja e Maduros dhe e bashkëshortes së tij i është besuar – sipas asaj që raporton CBS – njësisë Delta Force.
“Do të mbrohemi”: thirrja për guerilë
Qeveria venezueliane, para njoftimit për arrestimin e Maduros dhe menjëherë pas sulmit, e quajti ngjarjen një “agresion jashtëzakonisht të rëndë” dhe u kërkoi të gjitha forcave politike dhe shoqërore të aktivizojnë planet e mobilizimit. “Do të mbrohemi”, deklaroi qeveria e Karakasit. “Shtetet e Bashkuara nuk do të arrijnë të vënë duart mbi burimet e vendit tonë”. Në të njëjtin komunikatë, qeveria njoftoi se Maduro ka “nënshkruar dhe urdhëruar zbatimin e dekretit që shpall gjendjen e trazirës së jashtme”, pra emergjencën kombëtare, me qëllim “mbrojtjen e të drejtave të popullsisë, funksionimin e plotë të institucioneve republikane dhe kalimin e menjëhershëm në luftë të armatosur”. Po ashtu, ai ka urdhëruar vendosjen e menjëhershme të Komandës për Mbrojtjen Integrale të Kombit dhe organeve të saj në të gjitha shtetet dhe komunat e vendit. Codin është një organ që koordinon mbrojtjen, forcat e rendit dhe qytetarët e zakonshëm, dhe është në gjendje të organizojë, nëse është e nevojshme, edhe veprime guerile përveç atyre ushtarake. Komunikata e qeverisë i referohet “nenit 51 të Kartës së OKB-së”: Venezuela “rezervon të drejtën e vetëmbrojtjes legjitime për të mbrojtur popullin e saj, territorin dhe pavarësinë […] dhe u bën thirrje qeverive të Amerikës Latine, Karaibeve dhe botës të mobilizohen në solidaritet”.
Pak më vonë, presidenti i Kolumbisë fqinje, Gustavo Petro, kërkoi mbledhje urgjente të Kombeve të Bashkuara dhe të OAS-it (Organizata e Shteteve Amerikane). “Në këtë moment po bombardojnë Karakasin. Lajmëroni mbarë botën: kanë sulmuar Venezuelën. Po bombardojnë me raketa. OAS-i dhe OKB-ja duhet të mblidhen menjëherë”, shkroi Petro në X. Kolumbia është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Petro shprehu shpresën të mund “të përcaktohet ligjshmëria ndërkombëtare e agresionit kundër Venezuelës. Qendra e Komandës së Unifikuar është aktivizuar në Cúcuta dhe plani operacional është në zbatim në kufi”.
Dëshmitë
Disa dëshmitarë të cituar nga agjenci ndërkombëtare raportuan se janë dëgjuar avionë ushtarakë që fluturonin në lartësi të ulët; Wall Street Journal flet edhe për helikopterë ushtarakë. “Po ndjek me përfaqësinë tonë diplomatike në Karakas zhvillimin e situatës, me vëmendje të veçantë për komunitetin italian”, komentoi ministri i Jashtëm Antonio Tajani, duke sqaruar se kryeministrja Giorgia Meloni është vazhdimisht e informuar.
Banorë të disa lagjeve kanë dalë në rrugë; disa shpërthime ishin të dukshme nga larg në zona të ndryshme të kryeqytetit. Sipas CNN-it, disa lagje të Karakasit kanë mbetur pa energji elektrike.
Përshkallëzimi i tensioneve mes Trumpit dhe Venezuelës
Prej javësh tensionet mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Venezuelës kanë qenë shumë të larta, dhe ushtria amerikane ka vënë në shënjestër ditët e fundit mjete lundruese që dyshohet se përdoren nga trafikantë droge. Presidenti Trump deklaroi të hënën se SHBA-të kanë shkatërruar një zonë ankorimi të përdorur nga mjete të akuzuara për përfshirje në narkotrafik në Venezuelë: sulmi i parë tokësor amerikan në territorin venezuelian. Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë të cituar nga CBS, Trump kishte dhënë miratimin për planin e sulmit të sotëm prej ditësh. Ishte shqyrtuar mundësia që misioni të kryhej ditën e Krishtlindjes, por sulmet ajrore amerikane në Nigeri kundër objektivave të Shtetit Islamik patën përparësi, sipas burimeve.
Të premten, Venezuela ishte shprehur e hapur për të negociuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të luftuar trafikun e drogës. Megjithatë, Maduro deklaroi – në një intervistë të regjistruar paraprakisht dhe transmetuar të enjten – se Shtetet e Bashkuara synojnë të imponojnë një ndryshim qeverie në Venezuelë dhe të sigurojnë akses në rezervat e saj të mëdha të naftës përmes një fushate presioni që ka zgjatur me muaj, e nisur me një dislokim masiv ushtarak në Detin e Karaibeve gushtin e kaluar.
Top Channel