Çfarë ndodh tani? CNN: Skenarët për Venezuelën, nga kthimi i Gonzalez tek marrja e pushtetit nga ushtria

03/01/2026 13:49

Se çfarë do të ndodhë në Venezuelë, për momentin, duket mjaft e paqartë.

Kushtetuta e vendit përcakton se pushteti do t’i kalojë zëvendëspresidentes së vendit, Delcy Rodríguez, e cila pak më herët deklaroi publikisht se qeveria nuk ka as idenë më të vogël mbi vendndodhjen e presidentit dhe të Zonjës së Parë, Cilia Flores. E ardhmja e regjimit në vetvete megjithatë, është në pikëpyetje dhe opozita – brenda dhe jashtë vendit – ka shumë gjasa ta shohë këtë moment si një mundësi kritike. Opozita venezueliane insiston se presidenti legjitim është politikani në mërgim Edmundo González. Mes pasigurisë, CNN identikon disa skenarë të mundshëm:

Së pari, ndjekja e rrugës kushtetuese me Nenin 233. Në atë që kushtetuta e përshkruan si “mungesë absolute” të presidentit, zëvendëspresidentja ekzekutive –Rodríguez, merr pushtetin dhe thërret zgjedhje të reja brenda 30 ditësh. Presidenti i sapozgjedhur më pas shërben për një mandat të plotë gjashtëvjeçar.

Skenari tjetër është shembja e regjimit; figurat e tij kryesore japin dorëheqjen ose largohen nga vendi. Kandidati më i mundshëm i opozitës, akademiku dhe diplomati Edmundo González Urrutia, i cili kandidoi në zgjedhjet e vitit 2024.

González, është aktualisht i mërguar në Spanjë. Ai mbështetet nga fituesja e fundit e Çmimit Nobel për Paqen, aktivistja demokratike María Corina Machado. Duke folur në Oslo muajin e kaluar pas marrjes së çmimit, Machado tha se lëvizja e saj po përgatitej për “një tranzicion të rregullt dhe paqësor” sapo Maduro të largohej. Ajo tha në dhjetor se González e kishte ftuar të bëhej zëvendëspresidente dhe se “shumica dërrmuese” e policisë dhe forcave të armatosura do të ndiqnin urdhrat e administratës së re sapo të fillonte tranzicioni politik.

Një tjetër mundësi, të cilën CNN nuk e përjashton është që pushtetin ta marrë në dorë ushtria. Ministri aktual i Mbrojtjes është Vladimir Padrino López, i cili doli me deklaratë publike pas sulmeve të SHBA-së, tha se Venezuela do t’i rezistonte pranisë së trupave të huaja në vend. “Ky pushtim përfaqëson fyerjen më të madhe që ka pësuar vendi,” ishte mesazhi i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB