Qindra mijëra njerëz protestuan në Stamboll për Gazën: Ne nuk do të heshtim, nuk do ta harrojmë Palestinën

02/01/2026 08:17

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një marshim dhe tubim në Stamboll të enjten në mbështetje të palestinezëve në Rripin e Gazës, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe turq dhe duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës në enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta.

Demonstruesit u mblodhën nën qiellin blu dhe pavarësisht të ftohtit të acartë marshuan drejt Urës së Gallatës, ku po organizohej një tubim nën sloganin qendror “nuk do të heshtim, nuk do ta harrojmë Palestinën”, tha një gazetar i AFP-së.
Mbi 400 organizata të ashtuquajtura të shoqërisë civile ishin të pranishme në manifestim, ndër organizatorët e të cilave ishte Bilal Erdogan, djali më i vogël i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.


Sipas burimeve pranë policisë turke dhe agjencisë zyrtare të lajmeve Anadolu, rreth 500,000 njerëz morën pjesë në tubim, gjatë të cilit u mbajtën fjalime të ndryshme dhe këngëtari me origjinë libaneze Maher Zain performoi këngën “Free Palestine”.

“Ne lutemi që viti 2026 t’i sjellë fat të mirë të gjithë kombit tonë dhe palestinezëve të shtypur”, tha Bilal Erdogan.

Turqia, qeveria e së cilës ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të luftës në Rripin e Gazës, luajti një rol aktiv në negocimin e armëpushimit, i cili i dha fund luftës shkatërruese të nisur nga Izraeli në hakmarrje për sulmin e paprecedentë të Hamasit në pjesën jugore të territorit izraelit më 7 tetor 2023.

Megjithatë, armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, mbetet i pasigurt, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje flagrante të kushteve të marrëveshjes, ndërsa situata humanitare në enklavën palestineze mbetet kritike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB