Një hetim i realizuar nga The Guardian ka zbuluar se përmbledhjet me inteligjencë artificiale të Google, të njohura si AI Overviews, po ofrojnë në disa raste informacion të pasaktë dhe mashtrues shëndetësor, duke vënë në rrezik serioz shëndetin e qytetarëve.

Këto përmbledhje, që shfaqen në krye të rezultateve të kërkimit, synojnë t’u japin përdoruesve përgjigje të shpejta dhe të përmbledhura. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se në disa raste ato përmbajnë këshilla të gabuara dhe potencialisht të rrezikshme, shkruan Guardian.

Një nga rastet më alarmante lidhet me kancerin e pankreasit, ku Google këshillonte pacientët të shmangnin ushqimet me yndyrë. Specialistët e shëndetit e cilësuan këtë si “jashtëzakonisht të rrezikshme”, pasi është pikërisht e kundërta e rekomandimeve mjekësore dhe mund të rrisë rrezikun e vdekshmërisë.

Po ashtu, janë identifikuar informacione të rreme mbi analizat e gjakut për funksionin e mëlçisë, të cilat mund t’i çojnë pacientët me sëmundje serioze të mendojnë gabimisht se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Probleme janë konstatuar edhe në kërkimet për kanceret te gratë, ku AI i Google ka ofruar të dhëna “krejtësisht të pasakta”, që sipas ekspertëve mund të bëjnë që simptomat reale të injorohen.

Organizata të shumta shëndetësore dhe bamirëse kanë ngritur alarmin, duke theksuar se njerëzit shpesh kërkojnë informacion online në momente ankthi dhe pasigurie, dhe çdo pasaktësi mund të ketë pasoja serioze.

Google, nga ana e saj, ka deklaruar se shumica dërrmuese e përmbledhjeve të saj janë të sakta dhe të dobishme, duke shtuar se kompania po punon vazhdimisht për përmirësimin e cilësisë dhe se ndërhyn sa herë që konstatohet keqinterpretim apo mungesë konteksti.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mbështetja verbërisht te inteligjenca artificiale për çështje shëndetësore mbetet e rrezikshme, duke theksuar nevojën që çdo informacion të verifikohet gjithmonë nga profesionistë të fushës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB