Ylli portugez përplaset me Inzaghin në Arabi, Interi mendon ta rikthejë në Milano pas 8 vitesh

31/12/2025 11:26

Duhet falënderuar një mik i vjetër, edhe pse nga larg. Në vitin e tij të parë pas largimit nga Interi, në “strehën e artë” saudite, Simone Inzaghi ka pasur një përplasje të fortë me João Cancelon, mbrojtësin portugez shumë të paguar të Al-Hilal.

Një konflikt i bujshëm, që nga shkretëtira arabe ka sjellë një efekt zinxhir deri në Milano: Cancelo, 31 vjeç, është kthyer papritur në një mundësi reale për Interin, i cili po kërkon me urgjencë një mbrojtës të djathtë për të mbuluar boshllëkun e lënë nga dëmtimi i Denzel Dumfries.

Çfarëdo që të ndodhë, çështja Cancelo është e destinuar të trazojë merkaton e janarit. Portugezi ka vendosur të largohet nga Riadi: dëshiron të luajë më shumë sesa hapësirat që i garanton Inzaghi, sidomos me një vend në Botërorin e ardhshëm ende për t’u siguruar. Prioriteti i tij është rikthimi në Europë dhe super-agjenti Jorge Mendes po lëviz prej ditësh mes klubeve kryesore të kontinentit.

Interi në garë, por pengesa quhet paga

Interi është një nga klubet e interesuara, jo vetëm sepse Cancelo u ndje shumë mirë në Appiano gjatë sezonit 2017–2018, kur tregoi për herë të parë talentin e tij të veçantë, por edhe sepse zikaltrit nuk e kanë harruar kurrë kreativitetin e tij instinktiv. Nevojat përkojnë edhe në kohë dhe klubi nuk e përjashton formulën e një huazimi deri në fund të qershorit, për të shpëtuar sezonin aktual dhe për të planifikuar me qetësi të ardhmen.

Problemi i madh është paga. Al-Hilal e bindi Cancelon të largohej nga Manchester City në verën e vitit 2024 me një kontratë prej 15 milionë eurosh neto në sezon, një shifër e paarritshme për Interin aktual. Edhe në rast huazimi gjashtëmujor, ndarja e pagës mbetet shumë e rëndë për standardet zikaltër. Për këtë arsye, çdo negociatë do të kërkonte një pjesëmarrje konkrete të Al-Hilal në pagesën e rrogës: ky është nyja vendimtare nga e cila varet gjithçka. Pa harruar se Cancelo ndiqet edhe nga një tjetër ish-skuadër, Barcelona.

Përplasja me Inzaghin dhe rënia në hije

Raporti mes Cancelos dhe Simone Inzaghit u prish që në fillim të sezonit. Pas një Botërori për Klube surprizues në SHBA, ku Al-Hilal arriti deri në çerekfinale edhe falë një Canceloje në versionin e tij më të mirë, gjithçka ndryshoi në debutimin në Saudi Super League kundër Al-Riyadh. Inzaghi e zëvendësoi portugezin pak minuta para fundit dhe reagimi i këtij të fundit ishte i ashpër: shkelma, grushte në stol dhe objekte të hedhura në tokë, para se të qetësohej nga vetë trajneri.

Që nga ai moment, Cancelo u la mënjanë dhe gjeti hapësirë pothuajse vetëm në Champions League aziatike, ku shënoi edhe golin e vetëm të sezonit. Një bilanc shumë i varfër për një lojtar me të kaluar te Interi, Juventusi, Manchester City, Bayern Munich dhe Barcelona.

Alternativat e Interit dhe urgjenca në krahun e djathtë

Në këtë situatë të paqëndrueshme, Cancelo ka përfunduar natyrshëm në listën e Interit, por nuk është i vetmi emër. Presidenti Beppe Marotta dhe drejtori sportiv Piero Ausilio po vlerësojnë disa profile për një rol strategjik. Për sezonin e ardhshëm, ëndrra e madhe mbetet Marco Palestra (Atalanta, aktualisht në huazim te Cagliari), por për momentin nevoja është urgjente.

Dumfries do të rikthehet vetëm nga mesi i marsit, ndërsa Luis Henrique ka luajtur shtatë ndeshje radhazi si titullar pa arritur të bindë plotësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive. Objektivi, jo i lehtë, është gjetja e një lojtari gati menjëherë për Cristian Chivu, që të përshtatet me skemat e provuara me sukses, si ajo me Akanjin. Për lojtarë të besueshëm dhe të dobishëm edhe vetëm për një periudhë të shkurtër, pengesat strategjike bien; ajo që bën diferencën mbetet paga dhe koha.

Interit i duhet një zgjidhje që në fillim të janarit, idealisht përpara sfidës së madhe kundër Napolit më 11. Në një skuadër që anon gjithnjë e më shumë nga krahu i majtë, vazhdimi i shfrytëzimit të vetëm Luis Henrique në të djathtë mund të rezultojë kundërproduktiv. Tani topi është në fushën saudite: për të rikthyer një mik të vjetër, duhet bindur Al-Hilal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB