“Vend ku ligji të zbatohet”/ Ilir Meta uron Vitin e Ri nga qelia: 2026 viti i përkushtimit për një Shqipëri më të drejtë 

31/12/2025 20:45

Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar nga qelia të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka uruar që viti 2026 të jetë i përkushtimit të madh për një Shqipëri më të drejtë dhe ku ligji është i njëjtë për të gjithë.

“Gëzuar Vitin e Ri 2026! Të dashur qytetarë shqiptarë, Nga zemra ju uroj një Vit të Ri me shëndet, paqe, gëzim dhe mbarësi për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë të dashurit tuaj, kudo që ndodhen.

Me besim në vlerat tona të përbashkëta dhe me sytë nga e ardhmja, ta mirëpresim 2026 si vitin e bashkimit, të guximit qytetar dhe të ringritjes së shpresës.

Le të jetë ky një vit që na afron më shumë me njëri-tjetrin dhe na jep forcën për të ecur përpara, të vendosur përballë sfidave.

Qoftë 2026 viti i përkushtimit të madh për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku liritë dhe dinjiteti njerëzor janë të shenjta dhe respektohen plotësisht.

Ku ka mundësi dhe shpresë për çdo qytetar, dhe ku çdo shqiptar të jetojë me dinjitet, siguri dhe mirëqenie në shtëpinë tonë të dashur, Shqipërinë, ku e ardhmja të ndërtohet mbi ndershmërinë, besimin dhe ligjin.

Gëzuar 2026, Vitin e Ndryshimit, të Lirisë dhe të Shpresës së re për të gjithë shqiptarët!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB