Nata e ndërrimit të viteve, ja cilat janë vendet që do të mirëpresin të parat 2026-ën
Tajlanda ka liruar 18 ushtarë nga Kamboxhia të kapur rob në korrik gjatë përleshjeve vdekjeprurëse përgjatë kufirit mes dy vendeve, në kuadër të një armëpushimi për të cilin palët ranë dakord pak ditë më parë.
Dorëzimi i ushtarëve u vonua me një ditë për shkak të shqetësimeve të Tajlandës lidhur me shkelje të dyshuara të armëpushimit, por u realizua pas presionit të vazhdueshëm diplomatik nga Kina për zbatimin e marrëveshjes.
Tensionet përgjatë kufirit Tajlandë–Kamboxhia shpërthyen në fillim të këtij muaji dhe vazhduan për disa javë, duke detyruar gati një milion persona të largohen nga shtëpitë e tyre. Marrëveshja e armëpushimit parashikon ngrirjen e vijave të frontit, ndalimin e përforcimeve ushtarake dhe kthimin sa më të shpejtë të civilëve në zonat kufitare.
Ushtarët kamboxhianë, të veshur me rroba civile, u shoqëruan përtej një pike kontrolli kufitar dhe iu dorëzuan autoriteteve kamboxhiane, ndërsa u përshëndetën nga mbështetës vendas.
Sipas BBC, robëria e tyre kishte ndezur ndjenja nacionaliste në Kamboxhia, ndërsa lirimi i tyre ishte një nga kërkesat kryesore të qeverisë kamboxhiane gjatë bisedimeve me Tajlandën. Ministria e Jashtme e Tajlandës e quajti lirimin një “demonstrim të vullnetit të mirë”, duke shprehur shpresën që Kamboxhia do të përgjigjet me veprime konkrete.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias konfirmoi kthimin e trupave dhe deklaroi se mbetet “shpresëplotë” se ky hap do të ndihmojë në ndërtimin e besimit dhe sigurisë së ndërsjellë.
Një nga kushtet e armëpushimit ishte dorëzimi i ushtarëve brenda 72 orëve, por procesi u shty pasi Tajlanda akuzoi Kamboxhian për shkelje të marrëveshjes, përfshirë dërgimin e më shumë se 250 dronëve në territorin tajlandez. Pavarësisht këtyre akuzave, armëpushimi duket se po respektohet deri tani.
Mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve datojnë prej më shumë se një shekulli. Tensionet u rritën këtë vit pas incidenteve simbolike në një tempull të diskutueshëm, ndërsa përleshjet e korrikut lanë dhjetëra të vrarë dhe mijëra të zhvendosur. Armëpushimi i mëparshëm, i nënshkruar në tetor dhe i ndërmjetësuar nga SHBA, u prish në fillim të këtij muaji pas shpërthimit të tensioneve të reja.
Top Channel