I riu përndiqte 55-vjeçaren në Fier, policia nis kërkimet për të
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në një videomesazh ka përcjellë urimet për të gjithë shqiptarët për vitin e ri 2026.
Në mesazhin e saj, Spiropali theksoi se një nga sukseset më të mëdha të vitit ishte hapja me sukses e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vetëm 13 muajsh e që sipas saj, kjo është një dëshmi e qartë e vendosmërisë së Shqipërisë për t’u integruar në familjen evropiane.
Mesazhi i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë
Mbyllim një vit që solli për Shqipërinë sfida, por edhe lajme shumë të mira. Më i miri nga të cilët, pa dyshim, ishte hapja me sukses e të gjithë grupkapitujve në vetëm 13 muaj.
Shqipëria është sot vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt familjes sonë natyrale evropiane. Dhe vrapi ynë drejt Evropës nuk matet më me “nëse”, por me “kur”!
Megjithatë, më e vështira vjen tani: kur shpejtësinë e hapjes së grupkapitujve duhet t’a njehsojmë me shpejtësinë e reformave shtetndërtuese dhe përmbushjes së të gjithë kushteve.
Prandaj, në 2026-ën, do të vijojmë të udhëheqim me vizion dhe vendosmëri në këtë proces, duke vijuar bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë partnerët tanë europianë.
Viti që po lëmë pas do të mbahet mend si viti kur u bë realitet premtimi për votën e diasporës.
Por, të drejtat e shqiptarëve as fillojnë dhe as përfundojnë tek kutia.
Me ligjin e ri të diasporës, për herë të parë kemi në dorë një mekanizëm që mbron dhe promovon të drejtat tona, nën një ombrellë të koordinuar nga Tirana, prej Kalifornisë, deri në Australi.
Vizitat diplomatike në Itali, Greqi, Maqedoninë e Veriut, Holandë, Kroaci, Danimarkë, Izrael, Irlandën e Veriut, NATO, OKB, etj, si dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kemi pritur në Tiranë, kanë dëshmuar se politika jonë e jashtme është sot më aktive, më e besueshme dhe më e respektuar se kurrë më parë.
Në këtë stad të ri zhvillimi ku gjendemi, Viti i Ri na gjen në një nivel të paprecedentë përgjegjësish, por edhe nivelin më të lartë të ambicieve.
2026-a do të nisë me: Pensione më të larta. Paga më të larta. Investime rekord. Rritje ekonomike në një trend përshpejtues.
Dhe duhet të përfundojë me jetëzimin e plotë të reformave shtetndërtuese, plotësimin e kapitujve, njehsimin e standardeve europiane.
Dhe mbi të gjitha, respekt e dinjitet për Shqipërinë e shqiptarët kudo në botë.
Diplomacia jonë do të mbështesë këtë realitet të ri. Do të bëjë që zëri ynë i arsyes, pro-Europës, pro-zhvillimit, pro-stabilitetit, të dëgjohet për Shqipërinë e shqiptarët kudo në botë.
Të dashura motra e vëllezër!
Në mbyllje të vitit 2025, shpreh urimet më të mira për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Një urim të veçantë për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, Greqisë, Italisë dhe kudo ndodhen në diasporë, kudo ku kanë ndërtuar jetën dhe suksesin, pa harruar në asnjë moment rrënjët e veta.
Ju jeni ambasadorët më të mirë të vlerave kuqezi!
Uroj më të mirën për fëmijët tanë, që të rriten të shëndetshëm dhe me përkujdesjen që meritojnë.
Uroj më të mirën për studentët, të rinjtë dhe të rejat, që do të marrin gjithmonë e më shumë stafetën e drejtimit të Shqipërisë.
Për prindërit dhe të gjithë ata që me djersën e punës së tyre kontribuojnë për një të ardhme më të mirë, për familjet e tyre, por edhe për vendin tonë.
Për punonjëset dhe punonjësit e administratës shtetërore, shërbimi dhe pasioni i të cilëve është aset i Shqipërisë europiane.
Si dhe për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet, që kanë parë shumë sfida e vështirësi në jetën e tyre dhe për të cilët uroj, që të shohin po aq ditë të mira e mbarësi.
Të gjithëve u uroj nga thellësia e zemrës: Gëzuar, shëndet e mbarësi në familjet tuaja!
Top Channel