“Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt”, Trump: Dua që ta kontrollojmë bashkë me Iranin, unë dhe Ajatollahu, apo kushdo që do të jetë në të ardhmen
Eurostar njoftoi se planifikon të operojë shërbim të plotë sot, por paralajmëroi për vonesa dhe anulime të mundshme në minutën e fundit, pas një problemi me furnizimin me energji elektrike që ndërpreu qarkullimin e trenave në Tunelin e Kanalit të La Manshit, duke lidhur Londrën me kontinentin europian.
Problemi detyroi operatorin të pezullojë të gjitha shërbimet mes Londrës, Parisit, Amsterdamit dhe Brukselit, pikërisht në pragun e Vitit të Ri, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar dhe në kërkim të alternativave.
“Shërbimet kanë rifilluar sot pas një problemi me energjinë elektrike në Tunelin e Kanalit dje, si dhe disa çështjeve të tjera me infrastrukturën hekurudhore gjatë natës,” tha Eurostar në një deklaratë. Sipas kompanisë, problemi elektrik u shoqërua edhe me një defekt të një treni LeShuttle në tunelin 50 kilometra të gjatë që lidh Folkestone në Anglinë juglindore me Coquelles në Francën veriore.
Madje, u raportuan anulime edhe në linja brenda kontinentit që nuk përdorin tunelin, si Parisi–Brukseli. Në St Pancras International në Londër dhe në Gare du Nord në Paris, turma udhëtarësh me valixhe u mblodhën pasi planet e pushimeve të fundvitit u vunë në pikëpyetje. “Jemi të zhgënjyer, donim ta festonim Vitin e Ri në Paris,” tha një udhëtare 21-vjeçare për AFP, ndërsa të tjerë kërkonin fluturime, tragete apo rrugë alternative.
Eurostar, që transportoi një rekord prej 19.5 milionë pasagjerësh vitin e kaluar, ka monopol në shërbimet e pasagjerëve përmes tunelit që nga hapja e tij në vitin 1994. Megjithatë, kompania është kritikuar për çmimet e larta, sidomos në linjën Paris-Londër, dhe ka pasur disa ndërprerje edhe më herët këtë vit për shkak të defekteve teknike dhe vjedhjes së kabllove në Francën veriore.
Top Channel