Lamtumira e personaliteteve të artit, medias dhe politikës! 2025 viti i shuarjes së figurave të njohura shqiptare

31/12/2025 17:19

2025 vit la pas një boshllëk në skenën e artit shqiptar, me humbjen e një disa artistëve të mëdhenj të një plejade të shkëlqyer.

Gjatë këtij viti, iu dha lamtumira personaliteteve me kontribut të shquar në botën e artit, medias dhe politikës.

Në 25 janar mbylli sytë Kryepeshkopi Anastas Janullatos, që rindërtoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për më shumë se tre dekada ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese.

Krerët më të lartë të besimeve fetare morën pjesë në Meshën e Përshpirtjes për Kryepeshkopin që në testamentin që la pas ia kaoi të gjitha depozitat financiare Kishës Ortodokse, të cilës i dedikoi jetën.

Një ditë pasi festoi ditëlindjen e 91-të në 3 prill, u nda nga jeta ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa. Zonja e Madhe e skenës i dha jetë mbi 150 roleve në teatër dhe 32 roleve në kinematografi, duke portretizuar karaktere të panumërta dramatike.

I beftë ishte lajmi për ndarjen nga jeta të publicistit, opinionistit dhe koleksionistit Artan Lame në muajin maj, që humbi betejën me sëmundjen, ndërsa sot kujtohet si studiuesi i përkushtuar që dijet i vuri në shërbim të historisë së vendit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Gjatë verës, teksa përgatiteshin për shfaqjet e radhës në teatër, sëmundja la në mes krijimtarinë e regjisorëve Leka Bungo dhe Naun Shundi, që punuan deri në frymën e fundit me dashurinë për artin dhe skenën e teatrit shqiptar.

26 gushti ishtë nje ditë zie në nder të Artur Zhejit, mendimtarin e rrallë, analistin, gazetarin me karrierë të gjatë e të suksesshme, që u largua nga jeta befas në moshën 63-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak.

Pak ditë më pas, u shua mjeshtri i kinematografisë që frymëzoi breza të tërë artistësh, Dhimitër Anagnostin, që modestinë, profesionalizmin dhe talentin e tij të rrallë la pas një krijimtari të gjerë, teksa emrin e tij mbajnë filmat më të suksesshëm shqiptarë.

Opera shqiptare humbi në 29 shtator sopranon e mirënjohur, Luiza Papa Çako, që i dha jetë dhjetëra roleve, që nga muzika popullore deri te veprat operistike më të mëdha.

Në ditën e fundit të tetorit, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare Fatos Nano, një prej figurave politike që ka shënjuar 35 vitet postkomuniste. Socialistët humbën liderin e tyre historik.

Tronditës ishte për mbarë opinionin publik lajmi tragjik për ikjen e Shpat Kasapit, vetëm 40 vjeç. Qindra dashamirës dhe kolegë të këngëtarit e përcollën artistin drejt banesës së fundit në Tetovë, në një ceremoni homazh për të gjithë krijimtarinë që i la trashëgimi muzikës folk-pop.

Ikja fizike e këtyre personaliteteve gjatë 2025 krijoi një boshllëk në jetën publike të vendit, megjithëse me veprat e tyre, emrat e tyre mbeten të pavdekshmë në historinë e artit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB