Aksident hekurudhor në Machu Picchu/ Një person ndërron jetë dhe 40 të tjerë plagosen nga përplasja kokë më kokë e dy trenave

31/12/2025 07:02

Një person ka humbur jetën dhe të paktën 40 të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje ballë për ballë të dy trenave pranë Machu Picchu, atraksionit më të njohur turistik të Perusë.

Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ndodhi të martën në një shinë të vetme që lidh stacionet Ollantaytambo dhe Aguas Calientes, qyteti më i afërt me qytetin e lashtë Inka. Në vendngjarje mbërritën rreth 20 ambulanca, ndërsa të plagosurit u transportuan drejt spitaleve në qytetin fqinj Cusco.

Një zyrtar shëndetësor deklaroi se të paktën 20 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë. Ambasada amerikane në Peru njoftoi se mes të plagosurve ka edhe shtetas amerikanë, megjithëse identitetet e tyre nuk janë konfirmuar ende nga policia.

Mediat raporton se qindra turistë mbetën të bllokuar në vendngjarje, ndërsa evakuimi u vështirësua nga terreni i thyer dhe aksesi i kufizuar në zonë.

Dy trenat e përfshirë në aksident operoheshin nga kompanitë PeruRail dhe Inca Rail. PeruRail shprehu keqardhje për ngjarjen dhe deklaroi se stafi i saj ofroi menjëherë ndihmën e parë për pasagjerët dhe personelin e përfshirë. Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe po hetohet.

Ngjarja ndodh në një kohë tensionesh mes operatorëve të transportit drejt Machu Picchu, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi procesin e tenderimit dhe tarifat e larta të transportit, të cilat janë burim i rëndësishëm fitimi për shkak të aksesit të kufizuar.

I ndërtuar në shekullin e 15-të në Andet Peruviane, Machu Picchu është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga Shtatë Mrekullitë Moderne të Botës. Autoritetet kanë vendosur prej vitit 2011 kufizime ditore për numrin e vizitorëve, megjithatë shqetësimet për turizmin e tepërt vazhdojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB