Vlora pesë ditë pa ujë/ Nis furnizimi, drejtori i UKV-së: Në orët e pasdites i gjithë qyteti kthehet në normalitet

30/12/2025 09:15

Pas pesë ditësh pa furnizim me ujë dhe protestës së qytetarëve të mbajtur një ditë më parë, situata në Vlorë po shkon drejt normalizimit.

Drejtori i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, në një prononcim për gazetarin e Top Channel, Mikel Marsi, deklaroi se defekti i rëndë është drejt zgjidhjes dhe se qyteti pritet të kthehet plotësisht në normalitet gjatë orëve të pasdites.

Sipas tij, pajisja e dëmtuar është tashmë funksionale dhe situata po monitorohet vazhdimisht. Aktualisht, një pjesë e qytetit po furnizohet me ujë, ndërsa depot po mbushen për të garantuar furnizim të plotë në vijim.

Pajisja e vendosur tashmë është në rregull. Situata është monitoruar dhe jemi mirë. Po furnizohet një pjesë e qytetit, ndërsa depot janë duke marrë ujë. Ishte një dëmtim shumë i rëndë, por tashmë mund të themi që jemi në fund të avarisë, fatmirësisht. Pati një angazhim maksimal nga të gjithë: AKUK, bashkia dhe Qeveria Shqiptare. Ndjesë qytetarëve për problematikën. Natyrisht që më pas do të ketë një vlerësim për të gjithë këtë situatë”, u shpreh ai.

Mungesa e ujit për disa ditë me radhë nxiti reagimin e banorëve të Vlorës, të cilët dje dolën në protestë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për furnizimin me ujë të pijshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB