Sulmi i Arabisë Saudite mbi qytetin Mukalla, reagojnë Emiratet e Bashkuara Arabe: Tërheqim forcat e mbetura nga Jemeni

30/12/2025 17:40

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë deklaruar se do të tërheqin forcat e tyre të mbetura nga Jemeni, pas bombardimeve të kryera nga Arabia Saudite mbi qytetin Mukalla.

Sulmet erdhën pas akuzave saudite se dy anije nga Emiratet e Bashkuara Arabe kishin furnizuar me armë dhe automjete luftarake forcat separatiste në vend.

Arabia Saudite akuzoi aleatin e saj të ngushtë për veprime “shumë të rrezikshme” në Jemen, duke pretenduar se ato kërcënonin sigurinë e saj kombëtare. Riad tha se kishte ndërmarrë sulme ajrore “të kufizuara” në Mukalla dhe mbështeti thirrjen që forcat emirate të largoheshin nga Jemeni brenda 24 orëve.

Fillimisht, Emiratet i hodhën poshtë akuzat dhe shprehën habi për sulmet, por më vonë Ministria e Mbrojtjes e Abu Dhabit njoftoi se, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, do të tërhiqte vullnetarisht njësitë e mbetura kundërterrorizmit nga Jemeni.

Sipas ‘CNN’, aoutoritetet saudite nuk reaguan menjëherë ndaj vendimit, por episodi shënon një përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve mes Riadit dhe Abu Dhabit, dy partnerë tradicionalisht të afërt në rajon.

Deklarata saudite për veprimin ushtarak u publikua menjëherë pas një fjalimi të kreut të Këshillit Presidencial të Jemenit, Rashad Al-Alimi, i mbështetur nga Arabia Saudite. Ai akuzoi Emiratet për “drejtimin” e forcave separatiste dhe për “përshkallëzim ushtarak” kundër autoritetit shtetëror jemenas.

“Çdo kërcënim ndaj sigurisë kombëtare të Mbretërisë është një vijë e kuqe dhe ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për ta neutralizuar atë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme Saudite.

Riad akuzoi gjithashtu Emiratet se po ushtronin presion mbi Këshillin Kalimtar Jugor (STC), një forcë e mbështetur nga Abu Dhabi, për të kryer operacione pranë kufirit saudit,  akuza që Emiratet i mohuan.

Më herët këtë muaj, STC-ja nisi një ofensivë duke marrë kontrollin e disa provincave kyçe në Jemen, duke zemëruar qeverinë e mbështetur nga Arabia Saudite, e cila paralajmëroi se veprimet fragmentojnë luftën kundër rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani. Grupet aleate me STC-në hynë gjithashtu në provincën e pasur me naftë të Hadramoutit, duke rindezur thirrjet për shkëputjen e Jemenit jugor si shtet i pavarur.

Para njoftimit zyrtar të tërheqjes, forcat e mbështetura nga Arabia Saudite i kishin dhënë Emirateve një ultimatum 24-orësh për largimin e trupave dhe kishin shpallur përfundimin e një pakti mbrojtës mes dy vendeve. Të martën në mbrëmje, Emiratet konfirmuan se do të tërhiqnin trupat e mbetura “në mënyrë vullnetare dhe duke garantuar sigurinë e personelit”.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dy nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, janë aleatë të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara dhe kontrollojnë triliona dollarë në asete globale.

Para përshkallëzimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri thirrje për diplomaci dhe përmbajtje, duke shprehur shqetësim për zhvillimet në Jemenin juglindor dhe duke theksuar nevojën për një zgjidhje të qëndrueshme politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB