Shitja e Industrisë së Naftës së Serbisë, Vuçiç: Kushdo që ta marrë NIS-in, rafineria duhet të punojë

30/12/2025 20:57

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç,  ka deklaruar se kushti i vetëm që Serbia ka lidhur me shitjen e Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS), e cila është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për shkak të pronësisë ruse, është që rafineria e kësaj kompanie të vazhdojë punën.

Për shkak të pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, më 2 dhjetor u mbyll rafineria e Pançevës, e vetmja në Serbi, e cila është edhe objekti më i rëndësishëm në pronësi të NIS-it.

“Kushdo që ta marrë NIS-in, rafineria duhet të punojë. Përndryshe, ata nuk do të punojnë në Serbi. Ky është kushti i vetëm që kemi”, tha Vuçiç në konferencën vjetore për shtyp në Beograd.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit nisi zbatimin e masave ndaj NIS-it më 9 tetor.

Kushti i SHBA-së për heqjen e NIS-it nga regjimi i embargos është që nga kompania të largohen hisedarët rusë.

Vuçiç tha se stabiliteti energjetik i Serbisë është ruajtur, pavarësisht sanksioneve amerikane ndaj NIS-it, duke shtuar se për 83 ditë kjo kompani nuk ka marrë naftë të papërpunuar përmes naftësjellësit.

“Po shpenzojmë rezervat. Imagjinoni nëse ngrin Danubi ose ulet niveli i ujit, pa të cilin nuk mund ta kompensojmë furnizimin me karburant. Nevojat tona ditore janë 6.000 tonë naftë dizel”, tha Vuçiç.

Për shkak të sanksioneve amerikane, është mbyllur transporti i naftës përmes Naftësjellësit Adriatik (JANAF) nga Omišali deri te rafineria e Pançevës, ndërsa nafta për NIS-in nga Kroacia transportohej më parë me rrugë detare.

OFAC më 24 dhjetor i dha NIS-it një licencë me të cilën afati për negociatat për shitjen e pjesës ruse të pronësisë në kompani zgjatet deri më 24 mars 2026, por nuk i dha leje për rifillimin e aktivitetit të plotë të biznesit.

Zyrtarë të Hungarisë dhe Serbisë gjatë muajve të fundit kanë njoftuar se kompania hungareze MOL dhe ADNOC nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë të interesuara për blerjen e Industrisë së Naftës së Serbisë.

Këto kompani nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me një blerje të mundshme të aksioneve në NIS.

NIS është në pronësi ruse: një fond nga Shën Petersburgu, kompania shtetërore Gazprom dhe dega e saj Gazprom Neft zotërojnë 56.15 për qind të aksioneve, Serbia 29.87 për qind, ndërsa pak më pak se 14 për qind janë në duart e hisedarëve më të vegjël.

NIS u shit te Gazprom-i në janar të vitit 2008, sipas një marrëveshjeje ndërqeveritare ruso-serbe për bashkëpunim në fushën e naftës dhe gazit, për 400 milionë euro.

Deri tani nuk ka pasur informacione zyrtare për vlerën aktuale të tregut të pjesës ruse në NIS.

Serbia është e varur nga energjia ruse, pasi NIS furnizon 80 për qind të tregut të brendshëm me derivate të naftës. Po ashtu, 80 për qind të gazit natyror për qytetarët dhe ekonominë Serbia e blen nga Rusia.

Beogradi dhe Moska kanë marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) që nga viti 2012, por nuk iu bashkua sanksioneve të Brukselit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB