Fiks Fare/ Pak lakër, patate dhe copa mishi të falura: Si familjet shqiptare presin Vitin e Ri në luftë me mbijetesën

30/12/2025 20:54

Në prag të Vitit të Ri, drita, dhuratat dhe festa duken të largëta për disa familje në Shqipëri. Fiks Fare vizitoi dy shtëpi ku përballja me varfërinë është më e rëndë se çdo festë.

Në Shkodër, zonja Drane Deda jeton me dy djemtë e saj 7 dhe 8 vjeç, pas humbjes së bashkëshortit. Për familjen Deda, Viti i Ri nuk vjen me drita apo dhurata, por me pak lakër, patate dhe copa mishi të dhuruara nga komshinjtë. Drane tregon se “Viti i Ri për mua është të gatuaj çfarë kam për fëmijët. Nuk kam asgjë tjetër.”

Fëmijët e saj nuk kanë marrë kurrë një dhuratë dhe ëndërrojnë vetëm një makinë me telekomandë, gjë që për ta duket e paarritshme. Ata ngrohen pranë një sobe të prishur dhe mësojnë me fletore në duar, ndërsa Tirana dhe qytetet e tjera ndriçojnë me mijëra drita festive.

Nga qyteti, Fiks Fare shkon në fshatin Stajkë, ku situata është edhe më e vështirë. Bledar Plepi jeton vetëm me tri vajzat e tij, ndër të cilat një vajzë 8 vjeç është e sëmurë rëndë nga epilepsia dhe nuk mund të luajë apo të festojë. Ai përpiqet të përballojë shpenzimet me punë me ditë dhe ndihma minimale nga bashkia.

Vajza e madhe, me përgjegjësi të madhe për motrat e saj, ëndërron vetëm një bredh me një yll për Vitin e Ri, duke sakrifikuar për të siguruar kujdesin dhe shërimin e motrës së sëmurë.

Këto histori tregojnë se për disa shqiptarë, Viti i Ri nuk është një festë me drita dhe dhurata, por një përpjekje e përditshme për mbijetesë dhe shpresë.

Por Fiksi nuk e la me kaq. Grupi i xhirimit siguroi ushqime, lodra e veshmbathje për këto dy familje duke iu ‘ vjedhur’ nga një buzëqeshje fëmijëve në prag të festave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB