Trump i zemëruar për sulmin e pretenduar të Ukrainës ndaj Putinit: Nuk më pëlqen, situatë jo e mirë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave shtetërore të Presidentit Vladimir Putin, duke e cilësuar pretendimin si një përpjekje të Moskës për të minuar bisedimet e paqes.
Akuzat u bënë nga Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se Ukraina kishte nisur gjatë natës 91 mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi drejt rezidencës së Putinit në rajonin e Novgorodit, në veriperëndim të Rusisë. Sipas tij, të gjithë dronët u interceptuan dhe u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale.
Zelensky i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur “gënjeshtra tipike ruse” dhe duke thënë se ato synojnë t’i japin Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës. Ai theksoi se Rusia më parë ka shënjestruar ndërtesa qeveritare në Kiev dhe po përpiqet të shmangë përparimin drejt paqes.
“Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Është thelbësore që bota të mos heshtë,” shkroi Zelensky në platformën X.
Nga ana e saj, Rusia njoftoi se do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes, duke akuzuar Kievin për “terrorizëm shtetëror”. Megjithatë, Lavrov tha se Moska nuk ka ndërmend të tërhiqet nga procesi i negociatave me Shtetet e Bashkuara.
Top Channel