Me tri presje në llogari, Beyonce hyn zyrtarisht në klubin e miliarderëve

29/12/2025 20:43

Beyoncé ka arritur një tjetër rekord historik, këngëtarja është tashmë zyrtarisht miliardere.

Sipas Forbes, superylli i muzikës i bashkohet një grupi jashtëzakonisht elitar të personazheve të famshëm që kanë kaluar kufirin e pasurisë me tri presje, duke u renditur si këngëtarja e pestë miliardere në botë.

Nga 22 artistë miliarderë të identifikuar deri më sot, pothuajse gjysma janë shtuar vetëm në tre vitet e fundit. Beyoncé hyn në këtë listë prestigjioze pas bashkëshortit të saj Jay-Z, si dhe ikonave Taylor Swift, Bruce Springsteen dhe Rihanna, duke vulosur statusin e saj si një nga figurat më të fuqishme të industrisë së argëtimit.

Turneu “Renaissance”, i realizuar gjatë vitit 2023, u konsiderua kulmi i karrierës së saj. Me rreth 600 milionë dollarë të ardhura, turneu jo vetëm që theu rekorde, por e forcoi Beyoncé-n si një ikonë globale të kulturës pop dhe një forcë ekonomike më vete.

Por 44-vjeçarja nuk u ndal aty. Në vitin 2024, ajo surprizoi publikun me albumin “Cowboy Carter”, duke hapur horizonte të reja komerciale dhe artistike.

Performanca e saj speciale në NFL për Krishtlindje dhe planet për turneun më fitimprurës në botë gjatë vitit 2025 ishin hapat finalë që e çuan drejt titullit të shumëpritur: miliardere.

Përveç muzikës, Beyoncé ka ndërtuar një perandori biznesi. Ajo është themeluese e linjës së kujdesit për flokët Cécred, bashkëpronare e uiskit SirDavis dhe krijuese e markës së veshjeve Ivy Park, e cila ndaloi aktivitetin në vitin 2024.

Megjithatë, burimi kryesor i pasurisë së saj mbetet muzika, pasi ajo zotëron të drejtat e katalogut të saj gjigant dhe gjeneron shuma marramendëse nga turnetë.

Në industrinë e argëtimit, nuk ka biznes më fitimprurës sesa një artiste që mbush stadiume.

Një biletë për turneun “Cowboy Carter” nuk ofron vetëm një koncert treorësh ‘live’, por një spektakël futurist: makina fluturuese, krahë robotikë që mbushin gota me SirDavis, një dem i artë mekanik dhe të ftuar surprizë.

Me këtë sukses, Beyoncé nuk është më thjesht një yll muzike, por një markë globale, një ikonë kulturore dhe tashmë, zyrtarisht, një miliardere./TAR

Top Channel

DIGITALB DIGITALB