“’Demonstrata e ujit’ në Vlorë, si ajo e bukës e lidhur me emrin e Koçi Bakos”, Artan Fuga: Këshilltarët e opozitës-gjumë, deputetët urojnë si gjela deti njëri-tjetrin

29/12/2025 13:24

Nga Artan Fuga

“Demonstrata e ujit” në Vlorë, pa dyshim si demonstrata e bukës e lidhur me emrin e Koci Bakos, por pa dëshmorë!

Historia kështu e ka, një herë si dramë, herën e dytë si komedi!
Shumë domethënëse! E turpshme që ndonjë parti bën sikur e organizoi me ndonjë militant të lodhur! Jo, ajo ishte revoltë spontane njerëzish që etja për ujë, lodhja fizike për të gjetur ujë më kujton ndonjë vend andaj nga Saharaja!

Aty në pak minuta në video shoh tre elementët bazikë të kozmosit politik shqiptar sot, të turpshëm sa s’ka ku të vejë më!

E para: Njerëz që luftojnë për nevoja bazike, për ujë në një vend ku burimet ujore mjaftojnë edhe për të ngopur etjen e italianëve përtej bregdetit tonë.
Pra njerëz të vendosur në gjendje animale.

E dyta një shpurë burokratësh lokalë që në teatër zhyten në një shfaqje evazioni psiqik duke harruar cdo detyrë, në vend të lidhnin tubat, rrinë ngopen me ndonjë shfaqje bazike, mediokre, por në harresën e gjoja luksit të tyre mjeran.

Dhe një drejtor kulture a teatri me duar që i dridhen, që flet fjalë pa lidhje, merr detyrën si rob t’i hedhë ujë zjarrit, i shkreti, nuk di se çfarë statuti dhe dinjiteti duhet të ketë!

E treta: Dhe midis tyre një vijë ndarëse, dhuna e shtetit që ndan këto dy botë, policë – çuna të mirë që detyrohen të mbrojnë zyrtarët në plate dhe në llozha nga etja për ujë popullore, nuk dinë çfarë të bëjnë të shkretët.
Nuk jemi të etur as për dije, as për të drejta, as për art, as për histori, jo mo jo jemi të etur për ujë!

Dikur vasha shkonte te kroi i fshatit dhe mbushte katruven dhe i jepte ujë partizanit, kurse sot babi duhet të harxhojë benzinë të shkojë për të mbushur bidonin johigjenik me ujë nuk e di se ku!
Benzinë ka, ujë nuk ka !
O pikë e zezë!

Nuk thoshte kot Tokëvili, një popull që të kërkojë të drejta duhet të jetë shumë i zhvilluar. Përgjithësisht popujt kërkojnë ushqime bazë dhe këto pastaj i sublimojnë sikur kërkojnë të drejta.
Popujt – thotë ai, dhe jo vetëm – ngrihen për barazi, jo për liri! Rrallë popuj shumë elitarë në mjëra vite ngrihen për liri e të drejta!

Edhe në 90 bukur parrulla liri – demokraci, dakord, dakord, por në fakt kishte së paku dhjetë vjet që ishim të uritur.

Nejse, histori e gjatë, rëndësi që nuk u ngrit në alarm pushteti lokal, këshilltarët e opozitës – gjumë, deputetët i urojnë si gjela deti njëri tjetrit : Gëzuar Vitin e Ri!
Lëre se çfarë do të na shohin sytë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB