Anija turistike u përplas me një shkëmb nënujor duke lënë 80 turistë të bllokuar, nisin përpjekjet për kthimin e tyre me aeroplan në Australi

29/12/2025 18:08

Pasagjerët në bord të anijes turistike “Coral Adventurer”, e cila ngeci në Papua Guinenë e Re të shtunën, do të kthehen me aeroplan në Australi, pasi përpjekjet për të liruar anijen nga uji dështuan.

Anija, me flamur australian, ngeci në një shkëmb nënujor pranë bregut lindor, ndërsa në bord ndodheshin 80 pasagjerë dhe 44 anëtarë ekuipazhi, që kishin nisur udhëtimin nga Cairns në Australinë veriore më 18 dhjetor dhe do të kthehen atje me aeroplan.

Në fillim të këtij viti, Coral Adventurer kishte bërë bujë kur la pas një grua të moshuar në një ishull të largët në Koralet e Mëdha, ndërsa trupi i saj u gjet të nesërmen dhe hetimet janë ende në vazhdim.

Sipas mediave, anija po kalonte nëpër provincat Morobe, Madang dhe Sepik kur u përplas me rryma të forta detare dhe lundroi mbi shkëmbinjtë nënujorë. Autoritetet raportuan se anija ishte në një pjerrësi prej gjashtë gradësh në anën e majtë, por pas inspektimeve nuk u konstatuan dëmtime strukturore apo ndotje mjedisore.

Megjithatë, autoritetet lëshuan një njoftim ndalimi lundrimi, duke e konsideruar anijen të papërshtatshme për lundrim deri në përfundimin e të gjitha procedurave të nevojshme, ndërsa përpjekjet e së dielës për të liruar anijen me motorët e saj dhe rimorkiatorë dështuan.

Operatori i anijes, Coral Expeditions, tha se do të përfundojë turneun një ditë më herët dhe do t’i kthejë pasagjerët në Australi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB