Analiza/ Mustafa Nano: A janë amerikanët pas goditjeve të fundit të SPAK?
Nga Preç Zogaj*
Kryeministri Rama po përjeton trilemën më të madhe të karrierës së tij politike. Çfarë do të bëjë me kërkesën e SPAK për lejimin e masës së arrestit ndaj Belinda Ballukut?
Do ta lëshojë Belindën, siç ka bërë me zyrtarë të tjerë të lartë të partisë së tij që janë marrë të pandehur nga SPAK?
Do ta mbrojë symbyllur?
Do ta zvarrisë kërkesën e SPAK nëpër procedura të zgjatura, duke dashur të eksplorojë rrugëdalje dhe marrëveshje që mishi të piqet e helli të mos digjet?
Distancimi i qartë nga “kumbullngrënësit” prapa krahëve të partisë nuk i ka dhënë kosto elektorale deri më sot. Madje ia ka ngritur imazhin si një kryeministër që nuk i përzihet drejtësisë.
Mbrojtja me shpatë e Ballukut do të thotë të heqë botërisht maskën e paladinit numër një të drejtësisë së re, të sakrifikojë kalin e tij të betejës në këtë mandat, duke marrë përgjegjësinë e pasojave publike të shkëmbimit të integrimit të vendit në BE me fatin e zëvendëses së tij. E cila, si të tjerët para saj, i ka të gjitha mundësitë të mbrohet vetë për akuzat që i janë bërë, të pastrohet prej tyre në aulën e drejtësisë, nëse nuk janë të bazuara.
Ndërkaq, zvarritja e kërkesës së SPAK tej afateve ligjore vetëm i hedh benzinë zjarrit në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, ndërkohë që interesi i Ramës, ma merr mendja, është të prodhojë në këtë periudhë sa më pak skupe me jehonë ndërkombëtare.
Nuk ka dyshim se, nëse do të ndihej njëqind për qind dorëjashtë, Rama do t’ia jepte duart pa u menduar gjatë ministres më të fuqishme të kabinetit të tij. Sipas mendimit tim, më shumë se për fatin e saj, trilema e tij ngërthen një pasiguri ekzistenciale të tij si politikan.
E implikon Belinda apo jo? Çfarë ka përtej saj? Çfarë ka përtej aferave të tjera të shumta në hetim apo në pritje për t’u hetuar, ku janë përfshirë individë të enturazhit të tij? Kjo është enigma jashtë kontrollit, përballë së cilës qëndron si udhëhumburi pa busull në terr.
Për këdo që ka një minimum njohurish për ligjësitë e politikës dhe shtetndërtimit në shoqërinë e hapur, ka qenë e parashikueshme se promovimi i krimit në politikë, një invencion i markës “Rama”, do të çonte pashmangshëm në korrupsion madhor dhe masiv.
Qeverisja propagandistike do të shpërthente pa derman, ashtu siç këputet zullumi kur trashet.
Improvizimet, ekstravagancat, tarafet dhe pazaret në promovimin e zyrtarëve pa karrierë politike, apo pa vepra publike me peshë kur merren nga jashtë politikës, do ta asgjësonin në shkallë të gjerë virtytin e përgjegjësisë në ushtrimin e detyrave publike shtetërore.
“Pushteti priret të korruptojë, pushteti absolut korrupton absolutisht” – thotë maksima e njohur që i atribuohet lordit anglez Akton në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Në të folmen e popullit e themi me shprehjen e urtë: “Çfarë të mbjellësh, do të korrësh”.
Rama nuk e ka më në dorë fatin e tij në krye të qeverisë.
E kanë zhvillimet dhe të panjohurat e tjera në zyrat e drejtësisë në lidhje me përhapjen e korrupsionit në majat e ekzekutivit. Më konkretisht, a është kryeministri i përfshirë drejtpërdrejtësisht në afera ligjërisht të dënueshme?
E kanë partnerët amerikanë dhe europianë, padyshim entuziastë për hetimet nga SPAK të korrupsionit në sferat e larta, por edhe të zhgënjyer me zotin Rama për përhapjen kaq të gjerë të këtij fenomeni në qeverinë e tij, edhe sikur ai të mos jetë vetë i përfshirë.
Askush syresh nuk do të nxitonte të thoshte fjalën e fundit pa u siguruar se agjenda antikorrupsion dhe antikrim, në njërën anë, dhe ajo e integrimit të vendit në BE, në anën tjetër, do të vijojnë normalisht. Njëherësh, pa u qartësuar për alternativën euroatlantike që do të pasonte zotin Rama në karrigen e kryeministrit të vendit. Atëherë po që nuk do të duheshin shumë fjalë nga Uashingtoni dhe Brukseli për një ndryshim në majën e qeverisë së Tiranës.
*Drejtor i MAPO
Top Channel