“Arrëthyesi” rikthehet në TKOB, magjia e veprës së Çajkovskit ka tërhequr publikun e të gjitha moshave

28/12/2025 20:30

“Arrëthyesi” është baleti emblematik i Krishtlindjes me dy akte nga Tchaikovsky, bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush”, që sjell festën dhe atmosferën e ngrohtë në dhjetorin e ftohtë.

I krijuar për Baletin Perandorak Rus në 1892, historia e Arrëthyesit që shndërrohet në princ u kthye u përhap shumë shpejt në skenat më të mëdha botërore, duke argëtuar publikun çdo fundvit.

Magjia e Arrëthyesit ka përfshirë këto ditë edhe skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në kryeqytet, nën dirigjimin e Sergio Alapont dhe koreografinë e Edi Blloshmit.

“Emocionet janë të mëdha si nga balerinët, si nga publike, sepse është një kryevepër me muzikën e Çajkovskit. Koreografia ka një dinamikë gjatë gjithë kohës, si bora që bie në skenë në aktin e parë apo bota e karameleve në aktin e dytë. Çdo vit që e vemë ka shumë kërkesa, po kthehet në një traditë në Shqipëri”, thotë Blloshmi.

Klara merr dhuratë nga xhaxhai një arrëthyes të drunjtë me fuqi magjike që riparohet papritur pasi vëllai i saj e thyen. Në mesnatë, Klara sulmohet nga minjë gjigandë dhe shpëtimtari i saj bëhet pikërisht Arrëthyesi dhe ushtria e tij e biskotave.

“Është një kënaqësi e madhe të përformojmë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit”, shprehet balerini Ergi Imeraj.

Balerina Ema Fetahu thotë: “Klara është një vajzë me ëndrra shumë të bukura, i pëlqen shumë lodrat, por është edhe pak mistrece, sepse ngacmon shumë herë vëllain. Më pëlqen shumë pjesa kur vijnë minjtë, Klara frikësohet por arrin t’i mundë”.

Për artdashësit e vegjël, kjo është përralla më e bukur e Krishtlindjes, që I përfshin në një udhëtim imagjinar plot surpriza

Arrëthyesi mirëpret publikun në skenën e TKOB-së deri në 30 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB