Tyler Perry përballet me një tjetër padi për ngacmim seksual, aktori Mario Rodriguez i kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim

27/12/2025 10:52

Tyler Perry, regjisori dhe producenti i njohur, po përballet me një tjetër padi për sulm seksual nga aktori dhe modeli Mario Rodriguez, i cili pretendon se është ngacmuar seksualisht dhe i janë bërë propozime të padëshiruara nga Perry, ndërsa i është premtuar mundësi karriere në industrinë e filmit.

Rodriguez kërkon dëmshpërblim prej 77 milionë dollarësh. Padia përshkruan se ngacmimet filluan në vitin 2015, kur një trajner në një palestër në Los Angeles i tha Rodriguezit se Perry donte ta takonte. Gjatë një telefonate iu ofrua një rol i vogël në filmin e vitit 2016 Boo! A Madea Halloween, ku ai u shfaq si “Frat Guy #10”.

Incidentet e mëtejshme, sipas padisë, përfshinin takime në shtëpinë e Perry, ku dyshohet se regjisori i ka bërë ngacmime seksuale Rodriguezit, përfshirë një rast në nëntor 2018 kur dyshohet se i ka prekur organet gjenitale pavarësisht kundërshtimeve. Pasi incidente të tilla ndodhën, Perry dyshohet se i ka kërkuar falje dhe i ka dhënë 5,000 dollarë, por ngacmimet dyshohet se vazhduan deri në prill 2019.

Padia pretendon gjithashtu se Perry ka komunikuar me ndërprerje me Rodriguezin deri në vitin 2024, dhe kur mësoi për ngritjen e padisë, i dërgoi një mesazh duke thënë se ndihej “i tradhtuar” dhe se kishte bërë shumë për ta ndihmuar.

Mario Rodriguez ka folur publikisht për ngacmimin përmes një videoje në Instagram më 13 dhjetor, duke shpjeguar se frika dhe turpi e kishin penguar të fliste më parë, pa përmendur emrin e Perry. “Heshta për një kohë të gjatë. Nëse do të kisha folur më herët, ndoshta mund të kisha shpëtuar dikë tjetër,” tha ai.

Kjo padi vjen disa muaj pas padisë së Derek Dixon, i cili ka akuzuar Perry për ngacmim seksual, sulm dhe hakmarrje, duke kërkuar 260 milionë dollarë. Avokati i Perry ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si të sajuara dhe të bazuara mbi mashtrim.

Ky rast rrit sërish vëmendjen ndaj akuzave të përsëritura të ngacmimit seksual kundër Tyler Perry dhe ndikimit që këto pretendime kanë mbi karrierën dhe imazhin e tij publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB