Pak ditë na ndajnë nga nata e ndërrimit të viteve, por qytetarët shqiptarë duket se tashmë i kanë të kopsitura planet se ku do të festojnë.
Brenda dhe jashtë vendit, agjencitë dhe operatorët turistikë shprehen se rezervimet janë të konfirmuara në rreth 90%, ndërsa destinacionet e preferuara të shqiptarëve janë të shumta.
Nga rajoni, në Evropë e deri te shtëpia e Babagjyshit në Laplandë, këto janë disa nga destinacionet më të preferuara të shqiptarëve.
“Unë do të preferoja ta kishim fokusin brenda vendit, por vazhdon trendi i udhëtimeve jashtë, kryesisht drejt destinacioneve me emigracionin më të madh: Greqi, Itali, Gjermani, Turqi.”, shprehet Feriold Ozuni, Ekspert i Turizmit.
“Kemi një rritje të numrit të shqiptarëve me rreth 25% që pretendojnë të kalojnë festat jashtë vendit. Por ka edhe nga ata që preferojnë vendet e largëta, si Dubai, Maldivet dhe Laplanda”, shprehet Jetmira Hoxha, Eksperte E Turizmit
Ndërsa agjencitë turistike gëlojnë nga ofertat, biletat dhe paketat e fundvitit janë më të shtrenjta. Çmimet kanë shënuar rritje deri në 20%, ku, për shembull, drejt Evropës paketat për person variojnë nga 345 deri në 500 euro.
Nga ana tjetër, për ata qytetarë që preferojnë të qëndrojnë brenda vendit, rezervimet janë pothuajse të mbyllura. Kryeqendra këtë vit nuk do të jetë Tirana, sipas operatorëve turistikë.
“Kryesisht për fundvit, çdo shqiptar kur mendon të largohet për një fundjavë drejtohet nga juglindja. Për festimin e natës së Vitit të Ri një rol të madh ka edhe bregdeti Adriatik. Shpeshherë ka aktivitete jo vetëm me këngë dhe valle, por edhe me të ftuar humoristë. Durrësi, ndoshta sivjet, do t’ia marrë rolin kryesor Tiranës”, shton Ozuni.
Jo vetëm shqiptarët po zgjedhin Shqipërinë për fundvit. Një interes në rritje është vënë re edhe nga turistët e huaj.
“Fundviti është i ngarkuar. Kemi vënë re të huaj që vijnë në mënyrë individuale. Shqipëria po preferohet edhe jashtë sezonit”, thekson Hoxha.
Prenotimet, si për brenda ashtu edhe për jashtë vendit, sipas agjencive turistike, janë të larta edhe për muajin janar, kryesisht drejt destinacioneve me dëborë.
Top Channel