Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me qytetarët dhe simpatizantët në Manëz.
Ai foli për zgjedhjet, mbrojtjen e botës, ndërsa sulmoi ish-kryetarin e PD, Lulzim Bashën, duke thënë që ‘në vend që të merrej me mbrojtjen e votës, u mor me mua’.
“Tani duhet të nisim betejën për mbrojtjen e votës. Beteja të padrejta nuk mund të bësh, zgjedhjet janë sa kombëtare dhe aq ndërkombëtare. Ish-kryetari në vend që të merrej me grabitjen e votës, u mor me mua, me partinë. Sepse ishte në marrëveshje me të. Harroi çfarë bëri qeveria. Pastaj filloi periudha kalavare që kaloi PD. Më 11 s’do të humbte kurrë zgjedhjet, nëse Rama s’do falte 2 miliardë euro kamata dhe borxhe dy ditë para zgjedhjeve“, u shpreh ai.
Pjesë nga fjala e Berishës;
Ne e nisëm betejën tonë. E nisëm në parlament. Po ju siguroj ju që e para, opozitën e keni të vërtetë. Se kjo është e rëndësishme shumë. E nisëm në parlament, ju ftuam ju, mbush sheshit dhe rrugët.
E dyta, ne nuk jemi parti e dhunës. Unë e kuptoj se ka prej jush që me të drejtë mendojnë se këta mendojnë, këta meritojnë dajak dhe më shumë se dajak. Këta meritojnë hurin dhe më shumë se hurin, i meritojnë. Por ne prapë nuk jemi ajo parti.
Do t’ju jap dy shembuj. Të mos humbasim durimin. Ne fitojmë, kemi fituar me qëndresën tonë paqësore. Si i përmbysëm ne në ’91-shin? A nuk u rrëmbyen armët të gjitha anët kundër nesh, a ju kujtohet? Kur kur u rrëzua statuja e Enver Hoxhës, ne nuk rrëmbyem armët. Jo. Po ama barrikadat ia vumë.
Ua hodhëm në rrugë, nga shkolla e Bashkuar kur dolën të zbrisnin me tanke shtatorin e Enver Hoxhës, e gjetën të bllokuar me barrikada. Por armë nuk rrëmbyem ne. Ne fituam.
Në vitin ’97, a erdhën me rebelim? Me dhunë, me armë. I përzumë me votë. Edhe tani do t’i përzëmë dhe ky është misioni ynë absolutisht me vendosmërinë më të madhe. Jemi forcë demokratike, jemi opozitë demokratike. Ne do përdorim çdo mënyrë demokratike, jo të dhunshme për përzënien e tyre. Nuk rezistojnë dot ata.
Merrni pak historinë tonë. Ne kur na kanë vrarë edhe i kemi përzënë nga kryeministria, ju kemi vënë drurin e të tjerë. Por historia jonë është histori e përmbysjeve paqësore.
I përzumë në 2005-ën me votë. Tani Edi Rama që mendon se do t’i vjedhë qytetarët dhe do mbrohet aty ku është, të gjejë vrimën e miut ku të futet. Në mënyrë absolute, jo. E patë se çfarë jehone botërore pati qëndresa në parlament e deputetëve dhe protesta e datës 22. E jashtëzakonshme! Ishte betejë e fituar nga ne në rrafshin e së drejtës.
Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri.
Dhe unë jam i bindur se populli opozitar, populli i Manzës, i Durrësit e i gjithë Shqipërisë, do të jetë në lartësinë e këtij misioni. Lartësinë e shpëtimit të Shqipërisë, të shpëtimit të opozitës, të shpëtimit të kombit shqiptar, që po rrokulliset në mënyrën më të keqe. Edhe një herë, gëzuar festat dhe lartësinë e misionit tonë. Janari, nisim betejën tonë gjer në fitore.
Top Channel