Stuhi të forta shiu që kanë përfshirë zona të gjera të Kalifornisë kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, duke lënë tre persona të vdekur deri në mbrëmjen e Krishtlindjeve, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Reshjet intensive, që pritet të vazhdojnë deri të premten, kanë sjellë deri në 27.94 cm shi në disa pjesë të Qarkut të Los Anxhelosit, duke detyruar evakuime dhe mbylljen e rrugëve kryesore. Ekipet e emergjencës kanë kryer disa operacione shpëtimi, përfshirë persona të bllokuar në automjete për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka shpallur gjendje emergjence në Los Anxhelos dhe në disa qarqe të Kalifornisë Jugore. Rreth 100 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike deri të enjten në mbrëmje.

Qendra Amerikane e Parashikimit të Motit paralajmëroi për përmbytje të menjëhershme, ndërsa theksoi se shumë përrenj dhe lumenj mund të dalin nga shtrati.

Një 64-vjeçar nga San Diego humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar, ndërsa një 74-vjeçar vdiq në Redding, teksa policia përpiqej ta shpëtonte nga një automjet i përmbytur. Viktima e tretë është një grua në të 70-at, e cila u mor nga dallgët e forta në Parkun Shtetëror MacKerricher, në Qarkun Mendocino.

Paralajmërime për evakuim janë dhënë në Qarkun San Bernardino, ndërsa në zonën e Gjirit të San Franciskos janë lëshuar alarme për përmbytje të menjëhershme. Në këtë zonë, shpejtësia e erës ka kaluar 100 milje në orë.

Kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, ka shpallur gjithashtu gjendje emergjence dhe u ka bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimeve të festave.

Stuhitë janë shkaktuar nga disa “lumenj atmosferikë” që kanë sjellë sasi të mëdha lagështie nga tropikët, gjatë një prej javëve më të ngarkuara të udhëtimeve në SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB