“Trump sillet sikur është mbret”/ Moderatori i njohur amerikan ‘thumbon’ Presidentin: Vit i mirë për fashizmin, tirania po lulëzon

25/12/2025 22:42

Moderatori i njohur amerikan i talk show-ve, Jimmy Kimmel, ka kritikuar ashpër presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke paralajmëruar për rritjen e fashizmit në Shtetet e Bashkuara, në një fjalim drejtuar publikut britanik me titull “Mesazhi Alternativ i Krishtlindjeve”.

Mesazhi u transmetua në Channel 4 ditën e Krishtlindjeve dhe u përqendrua në ndikimin e mandatit të dytë të Trump, për të cilin Kimmel tha se sillet “sikur të ishte mbret”.

“Nga këndvështrimi i fashizmit, ky ka qenë një vit shumë i mirë,” u shpreh ai. “Tirania po lulëzon këtu.”

Channel 4 e nisi traditën e transmetimit të një mesazhi alternativ të Krishtlindjeve në vitin 1993, si kundërpeshë ndaj fjalimit tradicional të monarkut britanik. Sipas kanalit, mesazhi synon të ofrojë reflektime personale dhe provokuese mbi ngjarjet kryesore të vitit.

Kimmel ka qenë një kritik i vazhdueshëm i Trump, veçanërisht pas rikthimit të emisionit të tij “Jimmy Kimmel Live!” në shtator, pasi ABC e kishte pezulluar përkohësisht pas polemikave mbi komentet e tij lidhur me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk. Trump e kishte përshëndetur pezullimin, duke e quajtur “lajm të madh për Amerikën”, madje duke kërkuar shkarkimin edhe të moderatorëve të tjerë të natës.

Ngjarja nxiti shqetësime të gjera mbi lirinë e shprehjes dhe të shtypit, ndërsa qindra figura të njohura të Hollivudit dhe industrisë së argëtimit u bënë thirrje amerikanëve të “luftojnë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese”. Emisioni u rikthye në transmetim më pak se një javë më vonë.

Duke iu drejtuar audiencës britanike, Kimmel tha se një “mrekulli e Krishtlindjeve” kishte ndodhur në shtator, kur miliona njerëz – përfshirë edhe ata që nuk e pëlqenin emisionin e tij – dolën në mbështetje të lirisë së fjalës.

“Ne fituam, presidenti humbi dhe tani jam sërish në ekran çdo natë duke i dhënë politikanit më të fuqishëm në botë kritikat që i meriton,” tha ai.

Channel 4 ka ftuar më herët figura të diskutueshme për të mbajtur këtë mesazh alternativ, përfshirë sinjalizuesin Edward Snowden dhe ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad.

Kimmel paralajmëroi se heshtja e kritikëve nuk është diçka që ndodh vetëm në Rusi apo Korenë e Veriut, duke theksuar se edhe SHBA-ja po përballet me sfida serioze demokratike. Ai u bëri thirrje britanikëve të mos heqin dorë nga marrëdhënia me SHBA-në, duke thënë se vendi “po kalon një periudhë të vështirë”.

“Në Shtetet e Bashkuara, ne po shkatërrojmë si në kuptimin figurativ ashtu edhe literal strukturat e demokracisë sonë – nga media e lirë, te shkenca, mjekësia dhe pavarësia e gjyqësorit,” tha Kimmel, duke iu referuar edhe punimeve në Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë. “Jemi në një gjendje të keqe dhe e dimë që kjo po ju prek edhe ju. Thjesht desha të them: na vjen keq.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB