Goditje e re ndaj opozitës në Rusi, aktivisti kritik i Putinit dënohet me 6 vite burg

25/12/2025 22:13

Një gjykatë në Rusi ka dënuar të enjten Sergei Udaltsov, një aktivist pro-luftës por kritik i presidentit Vladimir Putin, me gjashtë vite burg, pasi e shpalli fajtor për akuzën e “justifikimit të terrorizmit”.

Udaltsov, 47 vjeç, është lider i lëvizjes opozitare “Fronti i Majtë”, e lidhur me Partinë Komuniste ruse, dhe u arrestua vitin e kaluar.

Sipas medias së pavarur ruse Mediazona, akuzat ndaj tij lidhen me një artikull që ai kishte publikuar online, ku shprehte mbështetje për një grup tjetër aktivistësh rusë, të akuzuar për krijimin e një organizate terroriste. Këta aktivistë u dënuan më herët gjatë këtij muaji me dënime që variojnë nga 16 deri në 22 vite burg.

Udaltsov i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të fabrikuara. Pas shpalljes së vendimit, ai e quajti dënimin “të turpshëm” dhe njoftoi se do të hynte në grevë urie, raportoi Mediazona. Sipas vendimit të gjykatës, ai do ta vuajë dënimin në një koloni penale me siguri të lartë.

Aktivisti ishte një figurë e njohur e opozitës gjatë protestave masive të viteve 2011–2012 në Rusi, të shkaktuara nga pretendimet për manipulim të zgjedhjeve parlamentare. Në shkurt të vitit 2012, ai mori pjesë edhe në një takim të organizuar nga presidenti i atëhershëm Dmitry Medvedev me përfaqësues të opozitës.

Autoritetet ruse kanë ashpërsuar ndjeshëm goditjen ndaj mospajtimit dhe lirisë së shprehjes pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke vënë në shënjestër organizata të të drejtave të njeriut, media të pavarura, aktivistë të shoqërisë civile, komunitetin LGBTQ+ dhe disa grupe fetare. Qindra persona janë burgosur, ndërsa mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi.

Në dhjetor të vitit 2023, një gjykatë në Moskë e dënoi Udaltsovin me 40 orë punë të detyruar për shkelje të procedurave të organizimit të një tubimi, pasi ai u ndalua në Sheshin e Kuq, ku tentoi të shpaloste një flamur me imazhin e diktatorit sovjetik Josef Stalin, sipas agjencisë shtetërore ruse TASS.

Kjo nuk është hera e parë që Udaltsov përballet me burg. Në vitin 2014, ai u dënua me katër vjet e gjysmë për rolin e tij në organizimin e protestave kundër Putinit në vitin 2012 dhe u lirua në vitin 2017.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB