Edhe në Krishtlindje lufta nuk ndalet, Ukraina dhe Rusia kryejnë sulme në territorin e njëra-tjetrës Në Betlehem, në qytetin ku u lind shpëtimtari, Krishtlindja u kremtua këtë vit mes lutjes për paqe dhe reflektimit për plagët e thella të Lindjes së Mesme.
Mesha e Krishtlindjes u mbajt në Bazilikën e Lindjes së Krishtit nga Pierbattista Pizzaballa, në një atmosferë të ngarkuar simbolikisht nga tensionet politike dhe pasojat e konfliktit.
Gjatë homelisë së tij, Patriarku Latin i Jeruzalemit foli për një ndjenjë të përgjithshme pasigurie që, sipas tij, ndihet sot kudo në botë. Ai theksoi se njerëzit janë të lodhur, të frikësuar dhe të shqetësuar shpirtërisht përballë dhunës dhe një kulture që ose e ushqen atë, ose e injoron.
Pizzaballa nënvizoi se vuajtjet e kohës sonë nuk janë çështje fati, por rezultat i vendimeve politike dhe përgjegjësisë njerëzore, ku shpesh interesat e pakicës vendosen mbi të mirën e përbashkët. Duke folur për Tokën e Shenjtë si kryqëzim popujsh dhe besimesh, ai bëri thirrje për përgjegjësi jo vetëm ndaj udhëheqësve lokalë dhe komunitetit ndërkombëtar, por edhe ndaj autoriteteve fetare e morale.
Patriarku u ndal veçanërisht te Gaza, të cilën e ka vizituar ditë më parë. Edhe pse luftimet janë ndalur, ai tha se vuajtjet vazhdojnë: familje që jetojnë mes rrënojave dhe një e ardhme që mbetet e brishtë dhe e pasigurt. Megjithatë, ai theksoi se Gaza nuk është vetëm shkatërrim, por edhe rezistencë dhe dëshirë për jetë.
Në mesazhin përmbyllës, Pizzaballa solli shpresë: nata e errët e botës nuk është përfundimtare, dhe drita e Betlehemit ndriçon rrugën përmes gjesteve të përulura, fjalëve pajtuese dhe zgjedhjeve të përditshme për paqe.
Ai uroi që fëmija i lindur në Betlehem të bekojë këtë tokë, çdo familje në vështirësi dhe çdo njeri të lodhur nga barra e së tashmes, duke kujtuar se drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e mund atë.
Top Channel