Spiropali nga Shkupi: Gjuha shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, të respektohet në ligj dhe në praktikë

24/12/2025 11:54

Në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u ndal në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Sipas Spiropalit, puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare, veçanërisht në studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike.

Gjuha shqipe, tha Spiropali, është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet mbrojtur e kultivuar.

“Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik. Ajo na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti. Në çdo shkronjë mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton”, thekson Ministrja e Jashtme.

Postimi i Spiropalit:

Vizita në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup është një ndalesë me peshë të veçantë në rrugëtimin e kujtesës sonë kombëtare.

Në këtë qytet ku historia shqiptare ka lënë gjurmë të thella — nga Shën Tereza te Pjetër Bogdani, nga Hasan Prishtina e shumë figura të tjera — gjejmë themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti, dinjiteti dhe vizioni ynë si komb.

Puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike e bëjnë atë një shtyllë të rëndësishme të vetëdijes sonë kolektive.

Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet mbrojtur e kultivuar.
Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik.

Ajo na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti.
Në çdo shkronjë mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB