“Një parajsë e vogël”/ Media italiane emision për Shqipërinë: Pse pensionistët tanë zgjedhin bregdetin shqiptar për të jetuar
Deputeti i PD Eno Bozdo, në një deklaratë për mediat ka deklaruar se Shqipëria është në kolaps energjetik dhe se rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë.
“Shqipëria ka marrë zyrtarisht nga Ministriali i Komunitetit të Energjisë një paralajmërim të fortë për përjashtimin e saj nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, një institucion ky shumë i rëndësishëm i financuar nga BE.
Kjo ndodh për shkak se Shqipëria ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj themelore lidhur me përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, ngritjen e kapaciteteve institucionale, realizimin e reformave të dakorduara për tregun e energjisë, sigurimin e furnizimit me energji elektrike, tregtinë ndërkufitare të energjisë, sigurinë kibernetike, trajtimin e emergjencave energjetike, si dhe një sërë çështjesh të tjera teknike që përfshihen si detyrime për palën shqiptare në përafrimin e Direktivave dhe Rregulloreve specifike të këtij sektori kaq të rëndësishëm”, tha Bozdo.
Ndërkohë Ministria e Infrastruktrurës në një dekaratë publike hedh poshtë këto pretendime dhe bën me dije se nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për dezinformimin keqdashës dhe lajmet tërësisht të pavërteta dhe të qëllimshme për sa i përket sektorit energjitik.
Sqarojmë prerazi se nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë.
Çdo pretendim në këtë drejtim është një sajim i pastër mediatik. Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE. Përpjekjet për ta paraqitur vendin si problematik janë të rreme dhe dashakeqe”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Më tej Ministria sqaron se gjatë “mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026”.
“Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE-se, një proces normal dhe i planifikuar, për të cilin projektligji dhe aktet e tjera janë përfunduar, publikuar për konsultim publik dhe disa të miratuara. Paraqitja e kësaj procedure si “ndëshkim” apo “përjashtim” është manipulim i hapur i fakteve dhe sulm i pastër, i qëllimshëm, dhe i koordinuar ndaj sektorit energjitik shqiptar.
Deklaratat dhe shkrimet e publikuara në orët e fundit përbëjnë shpifje të qëllimshme, me synim baltosjen e një prej sektorëve më të suksesshëm të Shqipërisë. Ky sukses është i dokumentuar qartë edhe nën Kapitullin 15 të negociatave me Bashkimin Europian, ku sektori i energjisë konsiderohet ndër fushat me progres real dhe të matshëm.
Theksojmë me forcë se në asnjë raport zyrtar të Komunitetit të Energjisë nuk përmenden ndëshkime apo shkaqe për mospërmbushje detyrimesh për TEC-in e Roskovecit, termocentralet lundruese, rrjetin e interkonjeksioni apo të tjera. Përfshirja e tyre në këto lajme përbën një manipulim të qëllimshëm, i cili nuk ka asnjë bazë faktike dhe synon vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në fushën energjetike dhe në procesin e integrimit europian, duke realizuar qartazi planin dashakeqës të faktorëve të ndryshëm që janë aktive në këto momente.
Institucionet përgjegjëse nuk do të tolerojnë keqinformimin dhe do të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për dezinformim publik dhe baltosje, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe vijimësi të reformave në sektorin energjetik”, mbyllet deklarata.
Top Channel