Venezuela akuzon SHBA-në për shantazh, Kina dhe Rusia i dalin në mbrojtje: ‘Sjellje gangsterësh’, çdo shtet ka të drejtë të mbrojë sovranitetin e tij
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar vizat për ish-komisionerin e Bashkimit Europian Thierry Breton dhe disa figura të tjera europiane, për shkak të rolit të tyre në zbatimin e rregullave të BE-së për rrjetet sociale, veçanërisht Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA).
Vendimi i administratës Trump ka shkaktuar reagime të forta në Europë, ndërsa zyrtarët amerikanë i akuzojnë këta persona se po përpiqen të censurojnë fjalën e lirë amerikane, sidomos opinionet konservatore. Brukseli i ka hedhur poshtë këto akuza.
Thierry Breton ka qenë në përplasje të vazhdueshme me Elon Musk, pronarin e platformës X, për detyrimin e rrjeteve sociale që të respektojnë rregullat e BE-së. Së fundmi, Komisioni Europian gjobiti X me 120 milionë euro, duke e akuzuar se sistemi i “blue tick” mashtron përdoruesit, pasi nuk verifikon realisht identitetet. Në reagim, platforma e Musk bllokoi reklamat e Komisionit Europian.
Pas ndalimit të vizës, Breton reagoi në X duke shkruar: “Për miqtë tanë amerikanë: censura nuk është aty ku mendoni.”
Në listën e ndalimeve përfshihen edhe Clare Melford, drejtuese e Global Disinformation Index (GDI), Imran Ahmed nga Center for Countering Digital Hate (CCDH), si dhe Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon nga organizata gjermane HateAid.
Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Sarah B. Rogers, i akuzoi këto organizata se kanë përdorur fonde publike amerikane për të nxitur censurën dhe “listat e zeza” ndaj mediave dhe zërave amerikanë. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e organizatave e cilësuan vendimin si një akt represiv dhe sulm ndaj lirisë së shprehjes.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se masat synojnë “agjentë të kompleksit global të censurës”, të cilëve do t’u ndalohet hyrja në SHBA. Ai theksoi se politika “America First” e Presidentit Trump kundërshton çdo ndërhyrje të huaj që, sipas tij, cenon sovranitetin dhe fjalën e lirë amerikane.
Top Channel