Raporti për Shqipërinë, FMN: ‘Paqja Fiskale’ minon progresin në administrimin tatimor, rrezikohet qëndrueshmëria fiskale Shqipëria vijon të renditet mes ekonomive me rritjen më të shpejtë në Europë, me perspektivë pozitive afatshkurtër, por përballet me sfida të rëndësishme strukturore dhe rreziqe në rritje nga mjedisi i jashtëm.
Ky është vlerësimi kryesor i Fondi Monetar Ndërkombëtar pas përfundimit të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025, i publikuar më 23 dhjetor.
Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në vitin 2026, e nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe sektori i turizmit, i cili vijon të mbetet motori kryesor i rritjes.
Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht, duke arritur objektivin 3% në gjysmën e dytë të vitit 2026, në kushtet e një tregu pune të shtrënguar dhe rritjes së pagave.
FMN thekson se Shqipëria ka përfituar nga një kombinim i përshtatshëm politikash makroekonomike: disiplina fiskale ka ulur ndjeshëm borxhin publik, ndërsa politika monetare proaktive ka ndihmuar në mbajtjen e inflacionit nën kontroll.
Rezervat valutore mbeten të forta dhe pozicioni i jashtëm i vendit vlerësohet më i mirë se sa diktohet nga faktorët themelorë ekonomikë.
Megjithatë, raporti paralajmëron se rreziqet për ekonominë shqiptare janë zhvendosur drejt kahut negativ.
Tensionet gjeopolitike, pasiguritë në tregtinë globale dhe luhatjet e çmimeve të lëndëve të para mund të ndikojnë negativisht te partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.
Në planin e brendshëm, rënia e popullsisë në moshë pune rrezikon të thellojë mungesën e fuqisë punëtore, të ushqejë presionet inflacioniste dhe të frenojë rritjen afatmesme.
FMN nënvizon se objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 kërkon përshpejtim të reformave strukturore, veçanërisht në kapitalin njerëzor, qeverisje, tregun e punës dhe klimën e biznesit.
Produktiviteti mbetet i ulët dhe të ardhurat për frymë janë rreth një e treta e mesatares së BE-së.
Në planin fiskal, rritja e shpenzimeve për demografinë, mbrojtjen dhe klimën përbën rrezik afatgjatë për qëndrueshmërinë buxhetore.
FMN rekomandon reforma në të ardhurat tatimore, përmirësim të administrimit fiskal dhe transparencë më të lartë në shpenzime, duke paralajmëruar se nisma si “Paqja Fiskale” mund të dëmtojnë përpjekjet për rritjen e përmbushjes tatimore. Sa i përket politikës monetare, Banka e Shqipërisë vlerësohet se ka një qëndrim të përshtatshëm aktualisht, por duhet të jetë e gatshme të reagojë shpejt ndaj presioneve të reja inflacioniste dhe rreziqeve në sektorin financiar.
Në përfundim, FMN vlerëson se Shqipëria ka baza të forta ekonomike, por thekson se vetëm përmes reformave të thella dhe të qëndrueshme mund të sigurohet rritje afatgjatë dhe afrimi real me standardet e Bashkimit Europian.
Top Channel